Maqedoni
Plenumi i nxënësve, takim pa marrëveshje me ministrin Ademi
30.04.2015 18:52
Pa marrëveshje përmbyllet takimi midis Ministrisë së Arsimit dhe nxënësve të shkollave të mesme...

Qëndrimi final i Ministrisë së Arsimit është që matura shtetërore edhe këtë vit të realizohet sipas konceptit të vjetër, ndërsa testimi ekstern të mos jetë elektronik.
Sipas zëvendëskryeministrit, Vlladimir Peshevski, i cili ishte i pranishëm në takim, nuk ka kohë për bisedime të tjera që do të çonin në ndryshim eventual, pasi që po afrohen afatet e realizmit të maturës shtetërore dhe testimit ekstern.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, apeloi nxënësit që nga e hëna t’u kthehen bankave shkollore.
Nxënësit nuk pranojnë kurrfarë kompromisesh. Ata kërkojnë që Ministria e Arsimit t’i marrë parasysh të dyja kërkesat, të hiqet testimi ekstern dhe të kthehet regjimi i vjetër i maturës shtetërore.
“Ne duam që të na përmbushen dy kërkesat. Me këto dy kërkesa mund që të arrijmë deri te arsimi më cilësor. Nëpërmjet kompromisit nuk arrihet kjo gjë”- deklaroi nxënësja, Aleksandra Filipova.
Nxënësit sot morën edhe mbështetjen e Plenumit të Arsimtarëve, të cilët kërkesat e tyre ia paraqiti edhe ambasadori i BE-së në vend, Aivo Orav.
“Nuk na premtuan asgjë dhe as që kërkuam ndonjë premtim nga ambasadori. E njoftuam me aktivitetet tona. Ne do të insistojmë që të na pranojnë edhe në Ministrinë e Arsimit për t’u ndryshuar ligjet. Kërkesat tona janë të njëjta me kërkesat e nxënësve të shkollave të mesme”- theksoi përfaqësuesi i Plenumit të Arsimtarëve, Vllado Dimovski.
Nxënësit deklarojnë se bojkoti i mësimit dhe qëndrimi në tenda do të vazhdojë derisa ata nuk arrijnë marrëveshje të përbashkët me dikasterin e arsimit.
MERAL ISMAILI
