Botë
Ekpsertët parashikojnë armëpushim, duhet zgjidhje e përhershme mes Izraelit dhe Palestinës
01.12.2024 13:49
Ekspertët kanë parashikuar një armëpushim mes Hezbollahut dhe Izraelit...

Ekspertët kanë parashikuar një armëpushim mes Hezbollahut dhe Izraelit, por është shqetësuese që askush nuk po flet për një paqe të qëndrueshme apo një zgjidhje të konfliktit izraelito-palestinez. Një armëpushim me Hamasin në Rripin e Gazës mund të jetë ende i arritshëm deri më 20 janar, kur të inaugurohet Presidenti Trump, sipas Arie Katzovitz, një profesor universiteti nga Jeruzalemi i cili i është përkushtuar gjetjes së një zgjidhjeje për këtë konflikt për dekada.
"Unë mendoj se ne po lëvizim në atë drejtim, sepse Hamasi është shkatërruar ushtarakisht dhe është koha për t'i dhënë fund luftës. E them përsëri ndoshta, këto janë dëshirat e mia, por ndoshta do të ndodhë.”, tha profesori universitar nga Jerusalemi, Arie Katzovitz.
Studiuesi palestinez Jazid Sajag, i cili nga viti 1991 deri në 2002 ishte këshilltar, negociator dhe politikëbërës në delegacionin palestinez në negociatat e paqes me Izraelin, beson se Netanjahu e imponon politikën e tij të luftës sepse i duhet lufta. Pyetja është se ku është muri vërtet i fortë që do të godasë politika ushtarake e Netanjahut. Mund të jetë një luftë me Iranin pa mbështetjen e Trump, ose mund të jetë diçka tjetër.
“Unë mendoj se Netanjahu ndjen se ai ka trajektoren e tij të zgjerimit dhe për momentin askush nuk po i bën presion të ndalojë. Politika e brendshme izraelite nuk po e bën presion që të ndalet. As opozita nuk flet për këtë në Izrael. Për sa kohë që Shtetet e Bashkuara ndihmojnë luftën, ekonomia nuk vihet në diskutim.”, tha studiuesi palestinez Jazid Sajag.
Katzovitz, megjithatë, ka mendim të kundërt, sepse 55 për qind e izraelitëve duan t'i jepet fund luftës. Edhe pse partitë e djathta ishin të kënaqura me zgjedhjen e Trumpit, ai thotë se mund të befasojë.
“Sepse Trump bën biznes me Arabinë Saudite, sepse ai dëshiron të fitojë Çmimin Nobel për Paqen. Pra, në këtë kuptim, ndoshta ka ndonjë shpresë se lufta duhet të përfundojë. Netanyahu dëshiron që lufta të vazhdojë në lidhje me Rripin e Gazës, sepse ai nuk ka plan se çfarë do të ndodhë pas kësaj.”, tha Katzovitz.
Situata me përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit me Iranin është paralajmëruese. Ekspertja libaneze Bushra Xhabir dyshon se Irani, si mbështetësi më i madh i Hezbollahut dhe Hamasit, dëshiron që lufta të përfundojë.
“Ne duhet të mendojmë edhe për çështjen gjeopolitike në gjithë këtë. Ekziston edhe Irani, nëse Irani do të ketë vullnetin për të hyrë në një marrëveshje paqeje ose të paktën një armëpushim përpara se Trump të marrë detyrën.”, beson Jabir.
Xhabir kujton se edhe pse qeveria libaneze dhe Hezbollahu kanë rënë dakord për disa pika, ka ende gjëra për të cilat duhet të bien dakord. Për këta analistë nuk ka dyshim se një ditë duhet të ketë paqe. Por çështja mbetet e hapur nëse konflikti i Gazës do të përfundojë me formimin e dy shteteve të pavarura apo një konfederate.
VLORA LATIFI TOPOJANI
