Maqedoni

Incidentet me flamujt, VLEN: Kemi prova për përfshirjen e BDI-së

01.12.2024 15:46

Koliaiconi VLEN siguron fotografi për përfshirje të BDI-së në shkatërrimin e flamurit shtetëror...

Koliaiconi VLEN siguron fotografi për përfshirje të BDI-së në shkatërrimin e flamurit shtetëror, ndërkaq paralajmërojnë demaskim të planeve të tjera të ish pushtetit, siç thonë, për destabilizim të shtetit. Zëvendës kryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai tha se pushteti aktual s’do lejojë përdhosjen e flamujve kombëtarë dhe shtetërorë dhe se sanksionet do të jenë joselektive.
 
“Ne kemi siguruar fotografi që dëshmojnë se ata të rinjë që dogjën flamurin shtetëror janë bashkëpunëtorët e Artan Grubit, magnatit të kazinove. Nga këtu, dua të them qartë dhe zëshëm, se secili që mori pjesë në këto incidente dhe tentoi të prishë festën, do të ndëshkohet sipas ligjit, pa dallime dhe në mënyrë krejt joselektive. Ne do t’i demaskojmë edhe planet tjera të regjimit të vjetër për të destabilizuar shtetin.”, tha Arben Fetai nga Koalicioni VLEN.
 
BDI: S’ka arrestime për djegien e flamurit shqiptar
 
Ka reaguar partia e Ahmetit. Sipas tyre akuzat e tilla janë të pavërteta për të mbuluar dështimet e pushtetit dhe distancohen nga incidentet. 
 
“BDI nuk ka asnjë lidhje me organizimin e këtyre incidenteve. Çdo deklaratë apo akuzë që pretendon të kundërtën është e pabazë, shpifëse dhe dashakeqe. Fakti që policia ka arrestuar 17 qytetarë shqiptarë për incidentet me flamurin shtetëror, ndërkohë që nuk ka ndaluar asnjë person për djegien e flamurit shqiptar. Kjo strategji e qeverisë antishqiptare është një përpjekje e qartë për të shmangur përgjegjësinë e saj dhe për të krijuar ndasi etnike.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
 
Ditë më parë nga BDI patën deklaruar se kremtimi i qytetarëve nëpër rrugët e Shkupit ishte spontan, dhe pas tyre nuk qëndronte kurfarë organizatori. Ata akuzuan policinë si indikator i incidenteve, ndërkaq paralajmëruan interepelancë javën që vjen në Kuvend ndaj ministrit të brendshëm Toshkovski dhe zëvendësit të tij Astrit Iseni.
 
LSDM kërkon takim liderësh
 
LSDM gjatë ditës doli me kërkesën për takim liderësh pas ngjarjeve të fundit në vend. Gjithashtu akuzuan ministrin e brendshëm Toshkovski se nuk ka vepruar në mënyrë adekuate për të parandaluar incidentet.
 
“Nëse MPB ka qenë e paralajmëruar siç thotë Toshkovski përse policia nuk ndërmori asgjë? Pse nuk veproi në mënyrë preventive që të mos lejojë eskalimin? Përse lejoi të ndodh kaosi? Vet deklarata e Toshkovskit lokalizon përgjegjësinë tek ai dhe MPB-ja.”, thuhet në komunikatë e LSDM-së.
 
VMRO: Zbuluam planet për destabilizim 
 
Por VMRO-DPMNE sikurse partneri i tyre i koalcionit VLEN thonë se veçmë kanë zbuluar skenarin e BDI-së dhe LSDM-së për destabilizim. 
 
“Veprimet e LSDM-së dhe BDI-së përfshijnë manipulime me simbolikën e flamurit maqedonas. LSDM dhe BDI të dëshpëruar po përpiqen të krijojnë shpërqëndrime nga frika e tyre e përballjes me drejtësinë.”, thuhet në kumtesën e VMRO – DPMNE-së.
 
Për incidentet në Shkup, Kumanovë dhe Prilep më 28 dhe 29 nëntor policia arrestoi 17 persona, në mesin e tyre edhe persona të mitur. Sanksione vijojnë edhe ndaj dy zyrtarëve policorë që përdhosën flamurin shqiptar.
 
MERALE ISMAILI