Botë

Stuhia e borës “paralizon” Nju Jorkun, shpallet gjendja e jashtëzakonshme

01.12.2024 18:18

Në ShBA reshjet e para të mëdha të borës kanë zbardhur qytetet dhe ato pritet të vazhdojnë intensivisht edhe javën e ardhshme...

Në ShBA reshjet e para të mëdha të borës kanë zbardhur qytetet dhe ato pritet të vazhdojnë intensivisht edhe javën e ardhshme, duke shkaktuar probleme në disa rajone. Rreth 60 centimetra borë ranë në pjesë të ndryshme Nju Jorkut, Ohajos dhe Miçiganit dhe 73 centimetra u regjistruan në skajin veriperëndimor të Pensilvanisë.

Autoritetet lokale kanë paralajmëruar për kushte të rrezikshme për ata që udhëtojnë për Ditën e Falënderimeve dhe përpiqen të kthehen në shtëpi.
 
“Udhëtimi do të jetë jashtëzakonisht i vështirë dhe i rrezikshëm këtë fundjavë, veçanërisht në zonat ku mund të grumbullohen disa metra dëborë shumë shpejt.” tha Shërbimi Kombëtar i Motit.
 
Një pjesë e autostradës “I-90” në Pensilvani u mbyll, ashtu si edhe disa rrugë qendrore në Nju Jork. Ndryshimi drastik i motit këtë javë solli temperatura më shumë se 10 gradë nën zero, njoftoi shërbimi i motit, i cili lëshoi paralajmërime për mot ekstremisht të ftohtë deri të martën.