Botë

Sholci në vizitë të papritur në Kiev, ndan ndihmë të re ushtarake për Ukrainën

02.12.2024 11:38

Kancelari gjerman, Olaf Sholc, e ka bërë një vizitë të papritur sot në Ukrainë...

Kancelari gjerman, Olaf Sholc, e ka bërë një vizitë të papritur sot në Ukrainë, për të rikonfirmuar mbështetjen e Berlinit ndaj Kievit, teksa lufton pushtimin rus.
 
Ai është zotuar për t’i ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake shtesë në vlerë të 650 milionë eurove dhe ka thënë se armët do të arrijnë në Kiev deri në fund të vitit. “Kam udhëtuar me tren drejt Kievit përgjatë natës, drejt një vendi që po mbron veten kundër agresionit rus për më shumë se 1.000 ditë.”, ka thënë Sholci përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter. Ai ka thënë përmes një deklarate se “Ukraina e ka mbrojtur veten në mënyrë heroike kundrejt luftës agresive të Rusisë.”.
 
“Përmes rikthimit tim këtu në Kiev, dua të shpreh solidaritetin tim me Ukrainën.”, ka thënë Sholci, i cili përballet me zgjedhje të reja në shkurt. “Dua ta bëj të qartë prej këtu që Gjermania do të mbetet mbështetësja më e madhe evropiane e Ukrainës.”. Ai ka thënë se “Ukraina mund të mbështetet te Gjermania.”.
 
Kjo vizitë është realizuar vetëm disa javë pasi Sholci është kritikuar ashpër nga presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, për një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.