Botë
ShBA-ja dhe BE-ja dënojnë sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit
02.12.2024 14:44
ShBA-ja dhe BE-ja dënojnë ashpër sulmin që ndodhi në kanalin e Ibër-Lepencit në veriun e Kosovës mbrëmjen e së premtes...

ShBA-ja dhe BE-ja dënojnë ashpër sulmin që ndodhi në kanalin e Ibër-Lepencit në veriun e Kosovës mbrëmjen e së premtes. Ambasadori amerikan Hovenier pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti, ka thënë se ShBA-ja mbështet autoritetet kosovare në kryerjen e hetimeve, por ende është herët të dihet se kush është përgjegjës për sulmin.
“Ajo që mund të them dhe po e ripërsëris është që ne dënojmë fuqishëm këtë sulm mbi infrastrukturën kritike të Kosovës. ShBA-ja mbështet autoritetet kosovare dhe ky proces kërkon hetim të kujdesshëm që autorët të gjenden dhe të mbahen përgjegjës. Këto akte dhune janë të patolerueshme dhe rrezikojnë qytetarët. ShBA-ja nuk është në pozitë që të thotë se kush qëndron prapa këtij sulmi. Ne kemi ofruar mbështetjen tonë autoriteteve kosovare për hetimet dhe që autorët të gjenden sa më parë. Nuk jemi në pozitë të spekulojmë për ndonjë grup specifik ose shtet, është ende herët.”, - deklaroi ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier.
Edhe shefi i Zyrës së BE-së, Avio Orav, pas takimit me Kurtin ka përsëritur thirrjen e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Xhosef Borrell, i cili ka dënuar ashpër sulmin e 29 nëntorit në Ibër-Lepenc dhe e ka quajtur sabotazh dhe akt terrorist.
“Patëm një takim me kryeministrin Kurti dhe komunitetin ndërkombëtar. Kryeministri pati mundësinë që të na informojë për zhvillimet e së premtes mbrëma. Nga ana e Bashkimit Evropian, Borrelli ka bërë një thirrje të qartë që nuk do ta përsëris sepse dihet tashmë.”, - theksoi shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Avio Orav.
Autoritetet e Kosovës, duke e quajtur shpërthimin akt terrorist, e kanë akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sulmi i 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit ishte tendencë për të krijuar kolaps në sigurinë kombëtare me qëllim të destabilizimit të Kosovës.
“Nuk mund t’i tejkalojmë edhe sulmet me të cilat po përballet vendi ynë. Të premten e kaluar një sulm terrorist e kriminal i cili e shpiu luftën hibride drejt sulmit kinetik, sepse synonte infrastrukturën kritike, me qëllim destabilizimin e vendit tonë dhe cenimin e sigurisë së qytetarëve dhe frikësimin e popullsisë, por edhe përçarjen e komuniteteve. Ata u përpoqën të na privojnë nga uji i pijshëm, nga energjia elektrike dhe nga ngrohja në mes të dimrit, duke synuar një kolaps total të jetës sonë të përditshme dhe të sigurisë sonë. Sulme të manualit rus, sulme kundër shtetit dhe qytetarëve të vendit.”, - u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Nga liqeni i Ujmanit, kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave. Policia e Kosovës pas shpërthimit ka bërë të ditur se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë. Policia ka ndaluar fillimisht tetë të dyshuar lidhur me këtë sulm, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ndaj të pandehurit me iniciale D.V. ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji nën dyshimet se ka kryer veprën penale, rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike.
GYLTENE SINANI
