Maqedoni

Murtezani, i gatshëm ta vizitojë Bullgarinë, Kacarska: Duhet të diskutojmë për agjendën reformuese

02.12.2024 15:10

Porositë e Brukselit zyrtarë janë shumë të qarta se korniza e bisedimeve nuk mund të ndryshohet...

Porositë e Brukselit zyrtarë janë shumë të qarta se korniza e bisedimeve nuk mund të ndryshohet, por nuk është ide e mirë që Qeveria e vendit tani t’i fillojë bisedimet me Qeverinë teknike të Bullgarisë, thotë ministri për Çështje Evropiane dhe kryenegociatori me Bashkimin Evropian, Orhan Murtezani. Megjithatë ai shprehet i gatshëm që të realizojë një vizitë zyrtare në Sofje. 
 
“Se korniza e bisedimeve nuk mund të ndryshohet, këtë e kemi ditur edhe më herët dhe ky qëndrim në disa raste është përsëritur edhe nga takimet e larta me përfaqësuesit e Brukselit zyrtar. Insistimi jonë nuk është në zgjidhje konkrete, por është për de-bllokimin e rrugës eurointegruese të vendit dhe çdo zgjidhje e cila mendojmë se e garanton anëtarësimin tonë në BE, do të ishte e pranueshme. Pra, se si do të realizohet ajo, mbetet të shihet gjatë bisedave, por kryesorja është që ne të mbrohemi nga bllokimi i mëtutjeshëm. Këto garancia a do t’i marrim nga Bullgaria apo do ta zgjedhim përmes rrugës bilaterale, mbetet të shihet.”, - theksoi  ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
 
Për drejtoreshën e Institutit për Politika Evropiane-Shkup, Simonida Kacarska, agjenda e reformave është pjesë e Planit më të gjerë të Rritjes së BE-së me vendet e Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027, me fokus të veçantë në reformat socioekonomike, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe një gjyqësor të pavarur.   
 
“Duhet të fillojmë diskutime se si do të përcillet agjenda reformuese dhe si do të mundet që në këtë proces të përfshihen edhe aktorë tjerë, siç është bota akademike, sektori joqeveritare, si dhe Odat Ekonomike, sepse kjo është një metodë që po zbatohet në BE. Agjenda reformuese ka caqet dhe indikacionet e saja të sakta ku vendi ka për obligim që në çdo 6 muaj t’i plotësojë disa nga obligimet që i janë dhënë. Nëse i dëgjojmë me vëmendje porositë nga Brukseli zyrtar, shihet qartë se do të ketë një dinamik ndaj Malit të Zi dhe Shqipërisë, ndërsa vendi ynë si duket nuk do të ketë fjalën kryesore, prandaj edhe jam shumë pesimiste se nga pala Bullgare mund të marrim çfarëdolloj garancie, por janë vetëm diskutime politike.”, - deklaroi drejtoresha e IPE, Simonida Kacarska.
 
Këto komente u bënë në panel-diskutimin me temë "Rrugët drejt integrimit në BE: avancimi i dialogut për Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor". Porosia e këtij panel-diskutimi ishte se nevojitet bashkëpunim i përforcuar në procesin e integrimeve në BE përmes agjendës reformuese të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. 
 
FITIM KRYEZIU