Maqedoni
Kumanovë, zjarre ndaj tre veturave dhe një objekti
02.12.2024 15:26
Mëngjesin e së hënës në qytetin e Kumanovës u regjistruan 4 zjarre edhe atë një lokal afarist, si dhe tre makina të shkrumbuara....

Mëngjesin e së hënës në qytetin e Kumanovës u regjistruan 4 zjarre edhe atë një lokal afarist, si dhe tre makina të shkrumbuara. Të gjitha zjarret kanë shpërthyer në lokacione të ndryshme. Pas raportimit për shpërthimin e zjarreve në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e njësitit të zjarrfikësve, të cilët kanë lokalizuar zjarret, si dhe ekipi i SPB të Kumanovës dhe Prokurori publik. Nga SPB-ja kanë njoftuar se janë duke punuar në zbardhjen e rastit.
“Më datë 02.12.2024 në ora 03:20 minuta, në SPB të Kumanovës është raportuar se është djegur objekti afarist në rrugën “11 Tetori”, pronë e M.J. nga Kumanova. Gjithashtu është raportuar se janë djegur edhe tri vetura në rrugët “Tërst”, “Vardarska” dhe “Nikolla Vapcarov” në Kumanovë edhe atë veturat Volsvagen Pasat me targa të Kumanovës, pronë e XH.B.; vetura Audi me targa të Kumanovës, pronë e A.E. dhe vetura Audi me targa të Kumanovës pronë e M.Sh. Zjarret janë shuar nga ekipe të njësitit të zjarrfikësve, kurse nuk ka persona të lënduar.”, - deklaroi Ivana Mlladenovska nga SPB-Kumanovë.
Edhe Prokurori Publik kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat e djegies së veturave dhe një objekti afarist. Prokuroria ka bërë të ditur se janë siguruar prova nga vendi i ngjarjes që do të jenë objekt ekspertize, ndërkohë që po kontrollohen edhe kamerat e sigurisë. Në mesin e veturave që u është vënë flaka është edhe ajo e prokurorit të lartë, Xhelal Bajrami. Për vënien e zjarrit në lokalin e zyrës së tij private, përmes rrjeteve sociale ka reaguar Fitor Jakupi, këshilltar i BDI-së në Këshillin e Kumanovës.
“Ju informoj se sot në orët e hershme diku afërsisht rreth orës 3:05 minuta të mëngjesit nga dora e zezë (të personave të panjohur) i është vënë flaka zyrës sime private në Kumanovë.”, ka shkruar Fitor Jakupi.
Makina ka tentuar t’i digjet edhe një koloneli me inicialet E.D., por që është përfshirë vetëm pak nga flaka. Raportohet se është djegur edhe një tjetër makinë, kurse flakët e zjarrit kanë kapluar edhe një pjesë të shtëpisë ku ka qenë e parkuar. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), përmes një komunikate për media, akuzoi Qeverinë dhe institucionet në Maqedoninë e Veriut, që siç thanë “nuk po arrijnë të garantojnë siguri për qytetarët” dhe kërkoi edhe ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.
“Bashkimi Demokratik për Integrim bën thirrje për ndërhyrje urgjente nga faktori ndërkombëtar. Qartë është bërë e ditur se nga kjo Qeveri e verbuar dhe e njëanshme nuk mund të presim as drejtësi dhe as përgjegjësi. Vetëm një presion ndërkombëtar mund të ndalojë këtë spirale të rrezikshme të dhunës dhe urrejtjes, e cila po kërcënon paqen dhe stabilitetin në vend.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti thanë se mesazhi që po dërgohet është se “shqiptarët në këtë vend janë të lënë në mëshirën e fatit”.
FATLUM AQIFI
