Maqedoni

Dorëhiqet kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Dameva: Dorëheqja, si pasojë e presionit politik

02.12.2024 15:39

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, dha dorëheqje të parevokueshme...

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, dha dorëheqje të parevokueshme, duke bërë të ditur se vendimin e ka sjell si rezultat i përpjekjeve për cenimin e integritetit të saj nga disa politikanë të pushtetit, ndër të cilët edhe kryeministri, Hristijan Mickoski. Dameva theksoi se vazhdimisht është përballur me presione, që nga dita kur është zgjedhur kryetare, ndërsa presionet i kanë ndjerë dhe familja e saj. Ajo i bëri thirrje Mickoskit që t'i paraqesë në Prokurori akuzat të cilat i drejtoi nga foltorja e Kuvendit se Këshilli Gjyqësor ka falsifikuar procesverbale.
                                                                                             
“Besoj se e vetmja gjë që më ka mbetur është ruajtja e integritetit tim personal dhe paqes dhe qetësisë së vetes dhe familjes sime, prandaj parashtroj dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, nga foltorja e Kuvendit bëri pohime se në Këshillin Gjyqësor ka disa klane, të cilat unë i menaxhoj dhe po falsifikohen procesverbalet. Në të njëjtën kohë, në disa raste ai, por edhe politikanët e pushtetit aktual, kanë shprehur qëndrime negative për anëtarët e Këshillit Gjyqësor, lidhjen e tyre me politikanët e pushtetit të kaluar dhe e gjithë kjo për të paraqitur para opinionit se unë apo anëtarët e Këshillit nuk e kryejmë funksionin me profesionalizëm, ndërgjegje dhe përgjegjësi. Kurse Këshilli Gjyqësor së bashku me Këshillin e Prokurorëve Publikë u treguan si organe që duhet të shpërndahen.”, - deklaroi ish-kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.
 
Petrushevski: 6 muaj Prokuroria Themelore pengon drejtësinë
 
Pas dorëheqjes së Damevës, Këshilli Gjyqësor bëri një përpjekje që në seancë urgjente të zgjedhë kryetar të ri të Këshillit, por e njëjta procedurë me kërkesë të një anëtari të Këshillit u caktua që të mbahet në seancë tjetër,  pasi dy anëtarë me të drejtë vote të Këshillit Gjyqësor nuk ishin prezent. Ndërkohë në ditën që Dameva dha dorëheqje, VMRO-DPMNE-ja doli me kritikë ndaj Prokurorisë Themelore se tani më 6 muaj kjo prokurori pengon drejtësinë dhe në vend që të bashkëpunojnë me institucionet, prokurorët kërkojnë mënyra që t’i shmangen së njëjtës.
 
“Prokurorët e zgjedhur në Strumicë dhe Zajaz, shëndeti i të cilëve përkeqësohet kur duhet të ndjekin krimet, janë arsyeja pse besimi i qytetarëve tek gjyqësori është 2%. Ljupço Kocevski, si kryetar i Prokurorisë Publike, është drejtpërdrejt përgjegjës për dështimin e Prokurorisë Publike dhe qëndrimin e qartë mbrojtës të disa prokurorëve ndaj kriminelëve të pushtetit të mëparshëm. I bëjmë thirrje Prokurorit Publik të Republikës, që sa më shpejt të fillojë të veprojë sipas ligjit.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
BDI: Dorëheqja është pasojë e presioneve politike    
 
Për BDI-në dorëheqja e kryetares së Këshillit Gjyqësor paraqet një moment tjetër dramatik, që pasqyron gjendjen alarmante të shtetit të kapur dhe rrënimin e pavarësisë së institucioneve.
 
“Kjo Qeveri jo vetëm që nuk arriti të sigurojë një sistem gjyqësor të drejtë dhe të pavarur, por përdor të gjitha mjetet për të shantazhuar dhe diskredituar ata që nuk janë të përgatitur t'i nënshtrohen presioneve politike. Kur zyrtarë të lartë të drejtësisë, të ngarkuar me mbrojtjen e ligjit dhe drejtësisë, kritikojnë publikisht njëri-tjetrin, mesazhi është i qartë: në këtë vend, pavarësia e institucioneve është bërë armik i Qeverisë.", thuhet në reagimin me shkrim të integristëve. 
 
Dameva është zgjedhur kryetare e Këshillit në vitin 2022, ndërsa është anëtare e Këshillit që nga viti 2019, kur u votua në Kuvend me propozimin e presidentit të atëhershëm, Stevo Pendarovski. Vitin e kaluar nga disa anëtarë të Këshillit Gjyqësor u shkarkua nga ky funksion, por u kthye pas tetë muajsh me vendim të Gjykatës Administrative.
 
SANIJE DURAKU