Botë

Kancelari gjerman premton ndihmë për Ukrainën

02.12.2024 16:38

Kancelari gjerman, Olaf Sholc, e ka bërë një vizitë të papritur në Ukrainë, për të rikonfirmuar mbështetjen e Berlinit ndaj Kievit...

Kancelari gjerman, Olaf Sholc, e ka bërë një vizitë të papritur në Ukrainë, për të rikonfirmuar mbështetjen e Berlinit ndaj Kievit, për t’iu kundërvënë pushtimit rus. Ai është zotuar për t’i ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake shtesë në vlerë të 650 milionë eurosh dhe ka thënë se armët do të arrijnë në Kiev deri në fund të vitit. Sholci njëherit ka vlerësuar se “Ukraina e ka mbrojtur veten në mënyrë heroike kundrejt luftës agresive të Rusisë.”. “Përmes rikthimit tim këtu në Kiev, dua të shpreh solidaritetin tim me Ukrainën.”, ka thënë Sholci, i cili përballet me zgjedhje të reja në shkurt të vitit të ardhshëm.
 
“Dua ta bëj të qartë prej këtu që Gjermania do të mbetet mbështetësja më e madhe evropiane e Ukrainës”, ka thënë kancelari gjerman.
 
Kjo vizitë u realizua vetëm disa javë pasi Sholci është kritikuar ashpër nga presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, për një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.
 
Kallasi angazhohet për përshpejtim të integrimit
 
Shefja e diplomacisë dhe sigurisë evropiane, Kaja Kallas, nga ana tjetër angazhohet për përshpejtimin e anëtarësimit të Ukrainës në BE, por thotë se procesi i vendimmarrjes nuk është i lehtë.  
 
“Ne jemi 27 demokraci, ato kanë nevojë për një periudhë më të gjatë se autokracitë për ta zgjidhur. Shpresoj se do të jemi të bashkuar për këtë çështje. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë për të përshpejtuar proceset. Mendoj se në fund do të arrijmë në një vendim që mund ta realizojmë.”, - theksoi shefi i Diplomacisë dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.
 
Presidenti ukrainas Zelenski pret që udhëheqësia e re në Bruksel ta marrë në konsideratë kërkesën e Kievit për anëtarësim në NATO.
 
“Ftesa për t'u bashkuar me Aleancën do të forcojë plotësisht Ukrainën përpara negociatave për t'i dhënë fund luftës. Në të njëjtën kohë, kjo do të thotë një paqe e drejtë.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. 
 
Bisedimet për paqe mund të jenë sa afër aq edhe larg, por edhe pozicionimet para marrjes së detyrës nga Donald Trampi në krye të Shtëpisë së Bardhë janë të dukshme. 
 
“Ne respektojmë hapjen e dialogut, kemi opsione të ndryshme, por është e rëndësishme që në këto kohë të trazuara flasim, kur erërat fryjnë nga drejtime të ndryshme.”, - deklaroi ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Analena Berbok. 
 
Pavarësisht bisedave për paqen, Moska është e vendosur që të vazhdojë ndërhyrjen ushtarake. Para negociatave, çdo pëllëmbë tokë e pushtuar është pjesë e negociatave.
 
“Dobësia e Zelenskit është e dukshme. Lufta e përhershme, ideja e tij, nuk pranohet më. Dhe ndjenja në vendet evropiane për Ukrainën po ndryshon.”, - theksoi zëdhënësi i presidentit rus Putin, Dmitri Peskov.
 
Bashkimi Evropian njoftoi një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë. Moska vazhdon ofensivën në Ternopil, afër kufirit polak, ku një dron ka vrarë një person, ndërsa 100 banorë u evakuuan.
 
GYLTENE SINANI