Mucunski nga Parlamenti Evropian: Bëmë gjithçka, Bullgaria dhe BE-ja të veprojnë

02.12.2024 17:17

Maqedonia e Veriut ka sakrifikuar shumë për ëndrrën evropiane...

Maqedonia e Veriut ka sakrifikuar shumë për ëndrrën evropiane, ka zgjidhur probleme triumfale me Greqinë, ka plotësuar kushtet e kërkuara, por nuk ka marrë në kthim sa duhet. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, në fjalimin e tij në komitetin për punë të jashtme në Parlamentin Evropian.
 
Kur bëhet fjalë për pengesën në rrugën eurointegruese nga fqinji lindor, Mucunski fton Bullgarinë që të hapërojë së bashku me RMV-në në tejkalimin e sfidave, në kuadër të marrëveshjes për mirëkuptim dhe t’i shmanget ultimatumeve.
 
Mucunski kërkon po ashtu nga struktura e re udhëheqëse e BE-së të jetë më praktike në politikën e zgjerimit të saj. 
 
“Shfrytëzimi i përhershëm i vetos nga ana e Bullgarisë është një pengesë e dhimbshme. Kjo  e bllokon progresin, por edhe jep sinjal të dëshpërimit mbi gjendjen  e solidaritetit evropian dhe  respektimit të përbashkët. Kjo lejon që çështjet bilaterale të dominojnë në  procesin aderues dhe e shndërron këtë mekanizëm në mjet përçarës dhe jo për bashkim. Të jem i qartë. Qeveria mbetet e   përkushtuar në dialog dhe pajtim. Jemi të gatshëm për të punuar me vullnet të mirë dhe të gjejmë zgjidhje që e respekton historinë dhe njëkohësisht që ndërton të ardhme më të mirë. Por, kjo do punë të përbashkët. Progresi nuk mund të dalë nga  kërkesat e njëanshme ose ultimatumet. Kjo kërkon respektim, mirëkuptim  dhe guxim të përbashkët. Ftojmë Bullgarinë që të na bashkëngjitet në këtë hapërim, që sfidat t’i kalojmë së bashku dhe të ndërtojmë raporte.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski. 
 
Raportuesi për RMV-në, Vaic: Keni kujdes raportet e brendshme
 
Raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vaic, kërkoi nga Mucunski sqarime lidhur me situatën aktuale, sidomos mes partive shqiptare, raportet ndëretnike dhe të drejtat e pakicave. 
 
“E drejta e pakicave është diçka që e respektojmë edhe në suaza të kornizës në BE. Edhe një pyetje lidhur me grupet e ndryshme etnike në shtet. E dimë se partitë politike shqiptare, pra,  shohim se ka një lloj turbulence në ditët  e kaluara. A janë këto tensione brenda bashkësisë etnike shqiptare që mund të shpijnë në rritjen e tensioneve etnike në shtet? Po ashtu na flisni edhe për korridorin 8 dhe 10 D, që është me rëndësi për ne në BE?!”, - theksoi raportuesi i RMV-së në BE, Tomas Vaic. 
 
Eurodeputetët: Ndryshimet kushtetuese mbeten kusht
 
E menjëhershme ka qenë përgjigja e Mucunskit, sidomos në pjesën e situatës së brendshme politike.
 
“Këto janë raste të izoluara dhe rrjedhin nga fakti i partisë konkrete, e cila nuk pranon se tani është në opozitë dhe bën gjithçka  që  të provokojë, dhe roli i Qeverisë nuk është politik, por të zgjidhë probleme.”, - u shpreh ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
 
Eurodeputetët përkujtojnë Mucunskin se hapja e klasterëve kalon nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.
 
“Hapi i radhës është hapja e klasterit që e quajmë, “Fundamentale”.  Për këtë Këshilli ka vënë parakushte, pra ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.”, - theksoi eurodeputeti, David Mcallister.
 
Mucunski, falënderues ndaj eurodeputetëve për angazhimin e tyre për përafrimin e vendit ndaj BE-së, të cilin e quajti organ mbrojtës në aspiratat e saja për t’iu bashkangjitur familjes evropiane.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU