Maqedoni

Janevska: UÇK-ja nuk paraqet asgjë, komitët janë pjesë e historisë

02.12.2024 17:40

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vensa Janevska, nuk heq dorë...

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vensa Janevska, nuk heq dorë për të përcaktuar përgjegjësi në ato shkolla ku nxënësit filloristë me uniforma kombëtare dhe të UÇK-së kremtuan festën e 28 Nëntorit. 
 
Për këtë arsye, ajo ka dërguar inspektorë arsimorë, jo vetëm në shkollën fillore “7 Marsi” në Çelopek të Tetovës, por edhe në një shkollë fillore në Çair dhe në dy shkolla në Strugë. Janevska shprehet e bindur se në këto raste është shkelur ligji. Madje thotë se UÇK-ja nuk paraqet asgjë për vendin, ndërsa komitët janë pjesë e historisë së këtij vendit.
 
“UÇK-ja, ushtria dhe emblema e UÇK-së për këtë shtet nuk vlejnë asgjë. Në këtë shtet, lufta, konflikti, quajeni si të doni, shkaktoi viktima në të gjitha palët e përfshira. Të gjitha nënat qajnë njësoj, të gjitha nënat ndjejnë dhembje njësoj. Në vend që të përpiqemi ta harrojmë atë konflikt dhe të edukojmë fëmijët me atë që unë them, ne po i mësojmë fëmijët e vegjël për luftën, për mbajtjen e armëve, për pozicione për të shtënë, për diçka që nuk ka lidhje me historinë tonë. Kjo është toka jonë e përbashkët, e të gjithë qytetarëve që jetojnë në këtë territor, që quhet Maqedoni. Në këtë tokë të përbashkët, ne duhet ta ndërtojmë së bashku. Të gjithë duhet të kemi së bashku përgjegjësi ndaj saj, dashuri dhe të kemi ide për përparimin e saj për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Të rinjtë janë e ardhmja e çdo shteti. Kur i edukojmë fëmijët, duhet t’i edukojmë mbi bazat e vlerave njerëzore, të mosdiskriminimit, të bashkëjetesës, të mirëkuptimit dhe të empatisë. Gjëja më e papërshtatshme që duhet të ketë në shkolla është politika.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Reagimi i Janevës vjen pas reagimit të BDI-së se nuk duhet të bëhet problem festimi i fëmijëve me uniforma të UÇK-së në shkollën e Çellopekut, ashtu siç nuk u bë problem me fëmijët në Aerodrom, të cilët kanë festuar me uniforma të komitëve. Por, Janevska thotë se komitët janë pjesë e historisë së Maqedonisë dhe janë pjesë e programeve arsimore.
 
“Komitët kanë qenë maqedonas, shqiptarë, turq dhe etnikume tjera. Kanë luftuar në Luftën e Dytë Botërore kundër armikut të përbashkët dhe ne këta njerëz duhet t’i nderojmë.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. 
 
BDI: UÇK-ja është gjithçka për shqiptarët
 
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, se UÇK-ja dhe lufta e tyre nuk është asgjë për shtetin. Nga BDI-ja thonë se UÇK-ja është gjithçka për shqiptarët, pasi përfaqëson dinjitetin dhe sakrificën për liri dhe barazi.
 
“Deklaratat e ministres së Arsimit, Vesna Janevska, janë fyerje e rëndë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe një tentativë për të shuar kujtesën dhe sakrificat historike të popullit shqiptar. Të thuash se UÇK-ja “nuk përfaqëson asgjë për këtë shtet” është një akt i papranueshëm, që tregon mungesë respekti ndaj një pjese të rëndësishme të popullatës dhe një përpjekje për të fshirë kontributin e shqiptarëve në këtë vend. UÇK-ja nuk është “asgjë” për shqiptarët, ajo përfaqëson sakrificën për barazi, drejtësi dhe dinjitet. UÇK-ja për shqiptarët është simbol i përpjekjeve për një shoqëri më të drejtë dhe për ndërtimin e një shteti ku çdo qytetar të jetë i barabartë. Çdo përpjekje për të mohuar këtë të vërtetë historike është një akt diskriminimi që thellon ndarjet ndëretnike dhe dëmton ndjeshëm harmoninë shoqërore. Kjo qasje selektive dhe hipokrite është e papranueshme. Të nderosh komitët, ndërsa përbuz UÇK-në, është dëshmi e standardeve të dyfishta dhe mungesës së sinqeritetit nga kjo Qeveri.”, thonë nga BDI.
 
Inspektorët arsimorë tanimë kanë vizituar shkollën e Çellopekut për të hetuar të gjitha rrethanat në të cilën, sipas Janevskës është shkelur ligji kur fëmijët përgatitën shfaqje me uniforma të UÇK-së. Për të përgatitur procesverbalin do të nevojitet kohë më e gjatë, tha ministrja Janevska, e cila njëherit bëri thirrje që politika të qëndrojë larg objekteve shkollore dhe procesit edukativo - arsimor.
 
REXHEP QAMILI