Maqedoni
VLEN: BDI-ja derdh “lot krokodili” për Damevën
02.12.2024 18:15
BDI-ja vitin e kaluar e shkarkoi Vesna Damevën...

BDI-ja vitin e kaluar e shkarkoi Vesna Damevën, ndërsa sot derdh “lot krokodili” për të, thuhet në një reagim të koalicionit VLEN.
Sipas këtij koalicioni, opinioni fort mirë e di se prokurori për krim të organizuar dhe korrupsion, Islam Abazi, është njeri i afërt i BDI-së ku u publikuan fotot e tij me vëllain e kryetarit Ahmeti, por edhe me funksionarë të lartë të BDI-së. Nga VLEN-i po ashtu theksojnë se sot e kësaj dite ish-funksionarë të kësaj partie gëzojnë funksione publike në Prokurori dhe Gjykata, si Ixhet Memeti, i cili u kap me “presh në dorë” dhe njëkohësisht i bëri vetting tërë BDI-së.
Nga koalicioni VLEN thonë se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin në Vodno te ish-presidenti Pendarovski kishte kërkuar rikthimin e shefit të tij me kalë të bardhë, Nikolla Gruevskit. E pikërisht në këtë takim, Ahmeti kishte propozuar dy mënyra për rikthimin e tij nga Budapesti, përkatësisht përmes “njerëzve të tij” në gjykatat e vendit.
Gjithashtu rikujtojmë se për këtë rast partia e Ahmetit i kishte bërë presion edhe kryetares së gjykatës së lartë, Besa Ademi. E njëjta Vesna Dameva që sot dha dorëheqje dhe BDI derdh “lot krokodili” për presion ndaj saj, Selim Ademi-anëtar i BDI-së, i cili në atë kohë në cilësinë e nënkryetarit e mbivotoi dhe e shkarkoi nga pozita e kryetares, për shkak se ajo nuk ishte e dëgjueshme që të fusë në rend dite pikat që i shkojnë përshtati ish-pushtetit të kaluar, theksojnë nga VLEN.
