Botë
Ukraina sërish kërkon anëtarësim në NATO, Rute: Ardhmëria e Ukrainës është në NATO
03.12.2024 13:37
Ukraina sërish ka kërkuar anëtarësim në NATO, pasi zyrtarët ukrainas vlerësojnë se vetëm duke iu bashkuar plotësisht aleancës...

Ukraina sërish ka kërkuar anëtarësim në NATO, pasi zyrtarët ukrainas vlerësojnë se vetëm duke iu bashkuar plotësisht aleancës mund të garantohet siguria e saj në të ardhmen. Një kërkesë të tillë, shefi i diplomacisë ukrainase e ka paraqitur në samitin e shefave të diplomacisë të vendeve anëtare të NATO-s, ku po merr pjesë edhe shefi i diplomacisë ukrainase. Në takim po diskutohet për vazhdimin e ndihmës ushtarake të NATO-s për Ukrainën.
“Ne jemi të bindur që garantuesi i vetëm real për sigurinë e Ukrainës, si dhe faktori parandalues për agresion të mëtejmë rus kundër Ukrainës dhe vendeve tjera është anëtarësimi i plotë i Ukrainës në NATO.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrej Sybiha.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, thotë se ardhmëria e Ukrainës është në NATO.
“Aleatët u pajtuan se ardhmëria e Ukrainës është në NATO. Ndërkohë punojmë në lëvizjen e rrugës drejt pranimit me marrëveshje bilaterale të sigurisë ndërmjet vendeve anëtare dhe Ukrainës, kjo po ndodh hap pas hapi. Patjetër të fokusohemi dhe në këto dy ditë do të bisedojmë për atë që është e domosdoshme për momentin, e ajo është arritja e ndihmës ushtarake në Ukrianë, sepse kjo është me rëndësi vendimtare për ata. Më pas nëse vendosin të futen në bisedime paqësore me Rusinë, të futet nga pozita e forcës.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
Ndërkohë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, ka thënë se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të ishte “i papranueshëm” dhe do të përbënte “kërcënim” për Rusinë.
GYLTENE SINANI
