Maqedoni
LSDM: Qeveria bën partizim të institucioneve
03.12.2024 14:04
Pas dorëheqjes së Vesna Damevës nga funksioni kryetare e Këshillit Gjyqësor...

Pas dorëheqjes së Vesna Damevës nga funksioni kryetare e Këshillit Gjyqësor, opozita dhe pushteti kanë intensifikuar akuzat ndaj njëra-tjetrës. Socialdemokratët pretendojnë se kryeministri Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja me tendencë po zhvillojnë partizim të institucioneve kryesore në vend dhe përmes reformave kërkon që sistemin e drejtësisë ta vendosë nën kontroll dhe ta përdorë atë si mjet për qëllime partiake.
“Kërcënimet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve kërcënojnë seriozisht pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe kjo ka pasoja afatgjata si për sistemin ligjor ashtu edhe për demokracinë. LSDM-ja qëndron pas nevojës për reforma në gjyqësor me përfshirjen e ekspertëve të huaj dhe monitorimit ndërkombëtar. Këto reforma duhet të udhëhiqen nga standardet evropiane dhe jo nga agjendat partiake të Qeverisë.”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
VMRO-DPMNE: LSDM-ja e çoi sistemin gjyqësor në kolaps total
Por, nga VMRO-DPMNE-ja reagojnë duke thënë se LSDM-ja nga motoja “Pa drejtësi nuk ka paqe” e çoi sistemin gjyqësor në kolaps total dhe zero besim.
“Shpresa për drejtësi, në të cilën u fokusua LSD-ja, përfundoi në mënyrë famëkeqe me instalimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të zgjedhur në Strumicë dhe Zajas, të cilët nuk veprojnë sipas akuzave për krim. Nga brohoritja e Zoran Zaevit se do ta sjellë drejtësinë në Maqedoni, mbeti vetëm klientelizmi i gjyqtarëve të zgjedhur në Strumicë dhe Zajas, të cilët i pengojnë rastet dhe nuk veprojnë. Ljupço Kocevski nuk ka ngritur asnjë akuzë për 6 muaj. Ljupço Kocevski është plotësisht përgjegjës për mosveprimin dhe dështimin e prokurorëve nën të.”, thuhet në reagimin me shkrim të VMRO-DPMNE-së.
Pushteti gjyqësor, Miteva: Paralajmërimi për reforma nuk paraqet presion
E pyetur se nëse dorëheqja e parevokueshme e tashmë ish-kryetares së Këshillit Gjyqësor dhe kritikat gjithnjë e më të ashpra të VMRO-DPMNE-së në pushtet ndaj prokurorit publik të shtetit, mund të sjellin pikë negative për vendin, zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, tha se situata e krijuar nuk paraqet presion ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Pikët negative që kishim si vend erdhën nga mungesa e drejtësisë në përgjithësi dhe numri i madh i skandaleve që ndodhën. Nuk e vlerësojmë si presion informacionin se do të kemi një luftë vërtet të fuqishme kundër situatës në fushën e drejtësisë.”, - theksoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
Miteva ripërsëriti qëndrimin e Qeverisë se “dorëheqja e Damevës ishte gjëja më e përshtatshme, që mund të kishte ndodhur pas gjithë atyre skandaleve që kanë ndodhur”.
SANIJE DURAKU
