Maqedoni

Zhvillimet e fundit në Këshillin Gjyqësor, në fokus të debatit të tretë të ekspertëve

03.12.2024 14:41

Këshilli Gjyqësor ende nuk ka zgjidhur kryetarin e ri. Pas dorëheqjes së deponuar të ish-kryetares së këtij këshilli, Vesna Dameva...

Këshilli Gjyqësor ende nuk ka zgjidhur kryetarin e ri. Pas dorëheqjes së deponuar të ish-kryetares së këtij këshilli, Vesna Dameva, ende nuk është bërë publike se kur do të caktohet seanca e radhës për të zgjedhur pasardhësin e Damevës, pasi që dy prej anëtarëve shfrytëzojnë pushimin vjetor dhe mjekësor. Zhvillimet e fundit në Këshillin Gjyqësor, si dhe propozim-ndryshimet е ligjit të Këshillit Gjyqësor ishin në fokus të debatit të tretë të ekspertëve në Gjykatën e Apelit në Shtip. Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë, Dejanço Eftimov, pas të gjitha zhvillimeve të fundit në këtë këshill, vlerëson se është e nevojshme që të zbatohen rekomandimet e misionit vlerësues dhe të ndalohet të bërit folklor politik në këtë këshill.

“Të gjithë e dimë se kemi Këshill jofunksional Gjyqësor, i cili po punon nën kapelën e disa strukturave të larta që kanë ndikim mbi to. Nuk bëhet fjalë për presion mbi ta, por kërkohet drejtësi dhe transparencë. Nëse Dameva do të vazhdonte me ritmin dhe dinamikën që donte të vendoste në bazë të përfundimit të konkluzionit në kolegjium për të zgjatur mandatin e saj, ajo do të ishte shkelje e proceseve pozitive ligjore, respektivisht të nenit 353 të Kodit Penal, ku e njëjta do të kryente vepër penale.”, - deklaroi sekretari shtetëror në MD, Dejanço Eftimov.
 
Por, kështu nuk mendojnë njohësit e tjerë të gjyqësorit në vend.  Sipas avokatit Aleksandar Novakovski, paralajmërimet e fundit kundër korrupsionit në gjyqësor e që vijnë nga pushteti ekzekutiv, mund të interpretohen vetëm si presion, pasi që luftën kundër korrupsionit duhet ta zhvillojë Prokuroria në bashkëpunim me policinë financiare dhe MPB-në. Pushteti ekzekutiv ka obligim t’u mundësojë organeve të hetuesisë kushte më të mira për punë, por assesi të përzihet në punën e tyre.
 
“Vlerësoj se ne ende nuk kemi bërë reforma rrënjësore në gjyqësor, ndërsa deklaratat e fundit të politikanëve që paralajmërojnë aksione të mëdha në Prokurori, i ndjej si paralajmërim për presion mbi organet hetuese që të ndërmarrin hapa konkrete. Ndoshta këto paralajmërime në njëfarë mënyre janë në rregull, të arsyeshme, mirëpo megjithatë duhet t’u lihet organeve kompetente të bëjnë punën e tyre.”, - theksoi avokati, Aleksandar Novakovski.
 
Duhet të punohet në përforcimin e kapaciteteve nëpër Gjykata dhe Prokurori të vendit, pasi që sipas Novakovskit, vendi shumë shpejt do të ballafaqohet me mungesë të theksuar të kuadrove në organet ndëshkuese, të cilët nuk do të mund t’i përfundojnë lëndët e tyre. 
 
REXHEP QAMILI