Maqedoni

Kërkesa për takim liderësh, Miteva: LSDM-ja ta dërgojë kërkesën në mënyrë zyrtare

03.12.2024 14:58

Pas situatave të tensionuara të javës së kaluar që ndodhën gjatë festimit të ditës së flamurit...

Pas situatave të tensionuara të javës së kaluar që ndodhën gjatë festimit të ditës së flamurit, LSDM-ja kërkon nga kryeministri Mickoski, që të thërrasë mbledhje liderësh, por nga ekzekutivi nuk e shohin objektivitetin e kërkesës për mbledhje të dërguar përmes mediave. Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, i ka bërë thirrje LSDM-së opozitare që kërkesën ta bëjë në mënyrë zyrtare. 
 
“Në të kaluarën kemi pasur një Qeveri që nuk ka pasur kapacitete për të zhvilluar dialog politik, tani kemi një Qeveri që edhe në kuadër të pushtetit ekzekutiv edhe në kuadër të pushtetit legjislativ ka kapacitet për të zhvilluar dialog të tillë politik. Është mjaft e çuditshme pse kjo kërkesë për mbledhje lidershipi po vjen përmes mediave. Shpresojmë që ata të dinë të dërgojnë kërkesat zyrtare për mbledhje lidershipi, ndaj le t'i dërgojnë dhe ne do ta zgjedhim dhe do të vendosim.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
 
Filipçe: Nevojitet unitet nga të gjithë liderët politikë
 
Nga LSDM-ja nuk heqin dorë nga kërkesa për takim liderësh. Lideri i socialdemokratëve,Venko FIlipçe, thotë se vetëm përmes apelit që do të dërgohej pas takimit të liderëve mund të qetësohet situata mes qytetarëve, e nëse nuk thirret mbledhja, situata mund të eskalojë. 
 
“Duhet një takim liderësh për të dërguar një mesazh të fortë politik, në vend që të vazhdojnë debatet e mprehta në institucione. Prandaj mendoj se thirrja për të qetësuar tensionet duhet të vijë nga këtu, pas mbledhjes së liderëve të dalim në një konferencë të përbashkët dhe të bëjmë një thirrje për të thënë se stabiliteti dhe paqja në vend janë më të rëndësishmet për ne.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. 
 
Kërkesën e LSDM-së për mbajtjen e takimit e ka komentuar edhe lideri i Lëvizjes “E di”, Maksim Dimitrievski, duke e cilësuar si kërkesë me hipokrizi klasike politike dhe gjueti për pikë politike.
 
SANIJE DURAKU