Maqedoni

Hulumtimi i Avokatit të Popullit, personeli mësimor, pa njohuri të gjuhës së shenjave

03.12.2024 15:14

3 Dhjetori – Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara....

3 Dhjetori – Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara. Në RMV  apelohet  për ndërgjegjësim dhe përfshirje më të madhe të këtyre kategorive të rrezikuara në shoqëri. Të dhëna shqetësuese vijnë nga Qendra Shtetërore për Edukim dhe Rehabilitim “Partenija Zografski”, ku shkollohen gjimnazistë nga i gjithë vendi me dëmtim të dëgjimit.  Hulumtimi i Avokatit të Popullit tregon se një pjesë e madhe e stafit mësimdhënës nuk e njeh gjuhën e shenjave, andaj i rekomandojnë Ministrisë së Arsimit avancimin e  procesit arsimor në këtë shkollë të mesme 
 
“Duhet siguruar  trajnim të detyrueshëm dhe të vazhdueshëm për punonjësit për të mësuar gjuhën e shenjave përmes të cilit do të përforcohen dhe përmirësohen aftësitë e përdorimit të gjuhës së shenjave në komunikim me nxënësit. Ndërsa për personelin arsimor edukativ që aktualisht jep mësim dhe nuk e di ose nuk e njeh mirë gjuhën e shenjave, të ofrojë përkthyes të certifikuar të gjuhës së shenjave në mësimdhënie për të pasur komunikim efikas dhe cilësor me nxënësit dhe transferim të përshtatshëm të përmbajtjes mësimore.”, - deklaroi Zëvendësavokatja e Popullit, Vaska Bajramovska. 
 
Të rinjtë me dëmtim të dëgjimit duan që të vazhdojnë shkollimin e tyre edhe në fakultet, por thonë se kanë shumë pak njohuri dhe pak fond të fjalëve. 
 
“T’u mundësojmë edhe profesorëve të ndjehen rehat me atë që do të gjinden mënyra se si të përmbledhin njohuritë e tyre për mbajtjen e orëve, sepse nuk mundet vetëm duke treguar dhe shkruar një person që nuk dëgjon dhe nuk flet të kuptojë mësimin mirë si duhet.”, - theksoi përkthyesja e gjuhës së shenjave, Marija Bashevska. 
 
“Të shtohet fondi i njohurive në gjuhën e shenjave të të gjithë mësimdhënësve, pavarësisht shkollës ku punojnë, asistentëve dhe prindërve fëmijët e të cilëve nuk dëgjojnë, në mënyrë që ata të krijojnë komunikim me prindërit e tyre.”, - u shpreh Stefan Gikov nga Shoqata e personave me dëgjim të dëmtuar.
 
Avokati i Popullit apelon Qendrën Shtetërore për Edukim dhe Rehabilitim “Partenija Zografski” që të ndërmarrë masa urgjente për kualifikimin e kuadrit mësimdhënës, të kërkojë mjete moderne që do të shfrytëzohen në arsimimin e personave me dëmtim në të folur dhe dëgjuar.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI