Botë
Sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit, masë e ndalimit për dy të dyshuarit
03.12.2024 16:06
Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar edhe për të dyshuarin e dytë, Jovan Viçentieviq...

Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar edhe për të dyshuarin e dytë, Jovan Viçentieviq, masën e paraburgimit për një muaj për sulmin e ditës së premte në kanalin Ibër-Lepenc. Paraprakisht në shtëpinë e të dyshuarit gjatë kontrollit i është gjetur granata dore, armë dhe municione. Avokati i të dyshuarit Viçentieviq pretendon se klienti i tij nuk ka pasur të bëjë me këtë rast.
Prokuroria Speciale të hënën ka bërë të ditur se në koordinim me Policinë e Kosovës janë kryer disa kontrolle në disa lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme dhe pajisje tjera. Lidhur me sulmin terrorist janë shoqëruar në stacionin policor 10 persona, ku dy prej tyre D.V. dhe D.M. janë ndaluar dhe personit D.V. i është shqiptuar masa e paraburgimit për 1 muaj.
Kurti në Bruksel, takime me Kallasin dhe Kostan
Sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit pritet të jetë temë edhe e takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas dhe me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, i cili do t’i takojë në Bruksel liderët e Ballkanit Perëndimor. Në Bruksel ndodhet edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se e pret një ditë e vështirë në Bruksel.
Server: Gabim i madh i Perëndimit, mosndëshkimi i Serbisë
Njohësi i zhvillimeve në Ballkan, profesori amerikan Daniel Server, në një intervistë për RTK-në ka thënë se ka presione ruse dhe gjatë gjithë kohës kemi parë një sërë sulmesh kundër Kosovës, teksa e ka konsideruar gabim të madh të Perëndimit mosndëshkimin e Serbisë.
“E kam thënë shumë herë që ka disa incidente që kanë ndodhur gjatë vitit të fundit dhe të gjitha këto më thonë mua se Beogradi është angazhuar në një përpjekje gjithëpërfshirëse për ta destabilizuar Kosovën përmes veriut. Sigurisht se BE-ja dhe ShBA-ja do të duhej të kishin reaguar ndaj këtyre incidenteve. Unë besoj se ka qenë gabim i stërmadh që këto incidente të mbesin të padënuara ashtu siç do të duhej. Sulmet e tilla janë qartësisht të nxituara, të përkrahura e planifikuara në Beograd, duke përfshirë rrëmbimin e policëve, pastaj sulmet ndaj paqeruajtësve të KFOR-it, por edhe sulmi në Banjskë.”, - deklaroi analisti amerikan, Daniel Server.
Server njëherit theksoi nevojën që NATO-ja të kërkojë tërheqjen e forcave serbe nga kufiri me Kosovën.
GYLTENE SINANI
