Maqedoni
Fronti Evropian akuzon Qeverinë: Është duke përgatitur skenar për destabilizim të vendit
03.12.2024 16:26
Fronti Evropian akuzon Qeverinë se është duke përgatitur skenar për destabilizim të vendit...

Fronti Evropian akuzon Qeverinë se është duke përgatitur skenar për destabilizim të vendit, edhe atë duke përdorur dy etnitetet më të mëdha në vend, dhe e gjithë kjo përpjekje sipas tyre po vjen pikërisht në kohën kur Qeveria ka dështuar me plotësimin e agjendës evropiane dhe integrimin e vendit në BE. Koordinatori i grupit parlamentar i Frontit Evropian, Blerim Bexheti, u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e këtyre provokimeve.
“Në javët e fundit, opinioni publik është dëshmitar i një përpjekjeje të hapur për të përgatitur terrenin për një skenar destabilizimi në vend. Deklaratat dhe veprimet e Qeverisë tregojnë përpjekje të qartë për të krijuar klimë tensione. Destabilizimi u shërben edhe interesave të kësaj Qeverie, e cila është e paaftë ta zbatojë atë që është çelësi i vazhdimit të rrugës eurointegruese të vendit, respektivisht ndryshimet kushtetuese që janë të domosdoshme për ta çuar vendin përpara në procesin e integrimit. Përballë dështimeve të saj, Qeveria përpiqet të krijojë krizë artificiale, por të rrezikshme, duke i paraqitur shqiptarët si fajtorë për destabilizimin e vendit. Kjo qasje është një lojë e rrezikshme, e cila jo vetëm që dëmton marrëdhëniet ndëretnike, por edhe minon stabilitetin e vendit dhe gjithë rajonin.”, - deklaroi deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti.
