Fronti Evropian kërkon interpelancë për Mexhitin, Toshkovskin, Isenin dhe Stoilkoviqin
Deputetët e Frontit Evropian...

Deputetët e Frontit Evropian dhe koordinatori i grupit parlamentar, Blerim Bexheti, ka njoftuar opinionin publik se Qeveria është duke përgatitur skenar për destabilizim të vendit, edhe se ata si grup parlamentar kanë dorëzuar interpelancë ndaj Izet Mexhitit, Pançe Toshkovskit, Astrit Isenit dhe Ivan Stoilkoviqit.
Bexheti po ashtu u bëri thirrje shqiptarëve që të qëndrojnë të qetë, sepse destabilizimi i vendit nuk është në interes të shqiptarëve.
“Në javët e fundit, opinioni publik është dëshmitar i një përpjekjeje të hapur për të përgatitur terrenin për një skenar destabilizimi në vend. Deklaratat dhe veprimet e Qeverisë tregojnë përpjekje të qartë për të krijuar klimë tensione. Destabilizimi u shërben edhe interesave të kësaj Qeverie, e cila është e paaftë ta zbatojë atë që është çelësi i vazhdimit të rrugës eurointegruese të vendit, respektivisht ndryshimet kushtetuese, që janë të domosdoshme për ta çuar vendin përpara në procesin e integrimit. Po ashtu duam ta njoftojmë opinionin publik se grupi parlamentar i Frontit Evropian gjatë ditës ka dorëzuar interpelancë për punën e katër anëtarëve të kësaj Qeverie pa legjitimitet etnik.”, - deklaroi deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti.
VLEN: BDI-ja, interpelancë duhet t’i bëjë vetes
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i koalicionit VLEN, sipas të cilëve Blerim Bexheti dhe grupi parlamentar i Frontit Evropian, këtë interpelancë më mirë kishte me qenë ta dorëzojnë për BDI-në dhe anëtarët e saj dhe se ky veprim i Frontit Evropian është një lëvizje klasike e parashikueshme e BDI-së pas dështimit të grupeve të afërta të Artan Grubit për të dëmtuar festën e organizuar të 28 Nëntorit.
“BDI-ja ka organizuar problemet dhe incidentet. Ata krijojnë probleme, i ekspozojnë qytetarët në rrezik, i lënë në mëshirën e tyre, ikin prej tyre dhe në fund përpiqen të përdorin për pikë politike. Blerim Qoseto Bexheti, ministri i qetë dhe i bindur i Gruevskit, i cili ishte ministër i Drejtësisë kur ndodhi rasti “Monstra” dhe BDI-ja nuk bëri asgjë për ta zbardhur, por lanë popullin të vuajë. Ministri që jepte tenderë për punonjësit në zyrën e tij dhe së bashku me Sasho Mijalkovin ishte në krye të drejtësisë, i kapur me armë dhe lëndë narkotike në një diskotekë, partner biznesi i Danela Arsovskës, më së paku kanë të drejtë të paraqesin interpelancë kundër zëvendëskryeministrit, Izet Mexhiti dhe kundër zëvendësministrit, Astrit Iseni. Interpelanca duhet të bëhet në BDI ndaj njerëzve të afërt të Artan Grubit, që organizuan incidentet dhe prishën festën e bukur të flamurit shqiptar.”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Sipas VLEN-it asgjë nuk do t’i shpëtojë këta njerëz nga pasojat e krimit të tyre dhe dëmi që u shkaktuan shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Por, nga Fronti akuzuan këtë Qeveri se insistuesit e destabilizimit të vendit janë pikërisht aktorët e tanishëm të pushtetit, të cilët dështimin për integrimin e vendit në BE, po tentojnë ta mbulojnë me destabilizim, dhe pikërisht për këtë çështje Fronti Evropian kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe zëvendësi i tij, të japin shpjegime të hollësishme për ngjarjet e fundit.
Nga Fronti Evropian po ashtu theksuan se shqiptarët kanë qenë dhe mbeten shtyllë e vendit, si dhe forca që ka shtyrë përpara vendin drejt integrimeve euroatlantike, dhe u bëri thirrje shqiptarëve që të qëndrojnë të qetë. (Fitim Kryeziu, TVM2)
