Botë
Trazira në Gjeorgji, policia tregon brutalitet kundër protestuesve
04.12.2024 10:45
Policia gjeorgjiane përdori përsëri gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë protestuesit mëngjesin e së mërkurës në kryeqytetin Tbilisi..

Policia gjeorgjiane përdori përsëri gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë protestuesit në kryeqytetin Tbilisi, duke nxitur bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë një grup ligjvënësish amerikanë me ndikim, t’i dënojnë veprimet e saj.
Në natën e gjashtë radhazi të protestave në kryeqytetin gjeorgjian, demonstruesit u zhvendosën nga qendra Rustaveli Avenue në një stacion metroje aty pranë, pasi forcat e sigurisë ua bllokuan hyrjen në ndërtesën e Parlamentit dhe i arrestuan disa prej tyre.
Gjeorgjia është tronditur nga protestat prej kur partia në pushtet, “Ëndrra Gjeorgjiane”, njoftoi javën e kaluar se do t’i pezullojë bisedimet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Pavarësisht protestave në rritje, kryeministri Irakli Kobakhidze nuk ka pranuar të zmbrapset dhe ka kërcënuar se do t’i ndëshkojë kundërshtarët politikë, të cilët i akuzon për dhunën që ka ndodhur gjatë protestave. Vendimi i “Ëndrrës Gjeorgjiane” për t’i braktisur negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian është një tradhti e madhe ndaj dëshirës së qartë dhe të madhe të popullit gjeorgjian për t’i përqafuar vlerat dhe institucionet evropiane, thanë tre senatorët.
“Kjo nuk është sjellja e një Qeverie të angazhuar për reforma demokratike dhe pluralizëm, por e një regjimi të pasigurt që po e tërheq Gjeorgjinë drejt një autokracie në stilin rus. Këto veprime shkelin hapur normat demokratike ndërkombëtare dhe minojnë aspiratat legjitime të popullit gjeorgjian", thuhet në komunikatë.
