Legjionarët bëjnë paraqitje të mira në Europë
04.12.2024 14:21
Vedat Muriqi është kthyer me gol te Mallorca....

Vedat Muriqi është kthyer me gol te Mallorca. Por goli i tij nuk i mjaftoi as për së afërmi Mallorcas, të martën mbrëma. Mallorca pësoi humbje të thellë, 5:1, nga Barcelona. Ndeshja ishte e vlefshme për xhiron e 19-të të La Ligas spanjolle. Në minutën e 43-të, Vedat Muriqi mori top të mirë në zonë dhe e shtyu atë në rrjetë për 1:1. Për sulmuesin prizrenas është goli i tretë i edicionit në kampionatin spanjoll.
Mesfushori Ardon Jashari ka shënuar një gol ndeshjen për Kupë të Belgjikës të cilën skuadra e tij Club Brugge e fitoi 3:1 ndaj Patro Eisdenit. Me fitoren e arritur të martën, Jashari me skuadrën e tij u kualifikuan në çerekfinale të Kupës belge. Jashari shënoi golin në minutën e 81-të, ndërsa në fushë u inkuadrua në minutën e 67-të.
Ndërsa mbrojtësi Mirlind Kryeziu, ka vendosur derbin e madh të Zurichut. Kryeziu shënoi golin e fitores për Zurichun kundër Grasshopperit. Ai shënoi gol në minutën e 71-të në fitoren 1:0 të Zurichut. Ndeshja i takoi një të tetës së finales të Kupës së Zvicrës, ndërsa Zurichu siguroi kalimin tutje. Kryeziu kompletoi takimin, ndërsa Amir Abrashi luajti deri në minutën e 81-të për Grassopperin. (Gazetar: Safet Ademi)
