NATO: Prioritet, mbrojtja e infrastrukturës në Ukrainë

04.12.2024 14:29

Vendet anëtare të NATO-s janë pajtuar që ta kenë prioritet....

Vendet anëtare të NATO-s janë pajtuar që ta kenë prioritet të lartë mbrojtjen e infrastrukturës së Ukrainës, bëri të ditur sekretari i përgjithshëm NATO-s, Mark Rute.

Duke folur para ditës së dytë të takimit të ministrave të Jashtëm të 32 vendeve anëtare të NATO-s, Rute tha se aleanca është e bashkuar si asnjëherë më parë, ndërsa theksoi se do të bëhen përpjekje maksimale për ta mbrojtur sistemin energjetik të Ukrainës nga sulmet ruse.

“Pati pajtueshmëri të qartë mbrëmë se mbështetja e Ukrainës, posaçërisht për infrastrukturën e saj, duhet të jetë prioritet…Besoj se aleatët do të sigurohen në ditët dhe javët në vazhdim se do ta furnizojnë Ukrainën me çfarëdo që mund ta furnizojnë.”, - deklaroi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.

Konkluza e takimit ministror në të cilin po merr pjesë edhe zëvendëssekretarja e NATO-s, Radmilla Shekerinska, është se patjetër duhet të përforcohen pozicionet e Ukrainës para se të ulet në tryezën e bisedimeve me Rusinë.

“Rusia paraqet kërcënim për aleancën dhe paqen botërore. Nuk ekziston zgjidhje e shpejtë për luftën në Ukrainë. E dimë se Rusia ka qëllime maksimaliste në agjendën e saj dhe patjetër të tregojmë unitet në përgjigjen tonë. E dimë se Rusia nuk po lufton e vetme, ka partnerë strategjikë në sfidat ushtarake që duhet të merren shumë seriozisht.”, - theksoi ministrja e Punëve të Jashtme e Finlandës, Elina Voltonen.

“Aq sa Ukraina do të jetë e fuqishme në luftë, aq do të jetë nesër e fuqishme në tavolinën e bisedimeve. Nuk ekziston rrugë tjetër, ekziston një iluzion se nuk mund ta furnizojmë Ukrainën me gjithçka që i duhet, por kur t’i shihni konfliktet e së kaluarës Afganistan, Irak, kemi harxhuar trilionë në këto luftëra. Nëse dëshirojmë të arrijmë paqe në Ukrainë, ne patjetër ta furnizojmë vendin me siguri dhe garanci. Nuk ka mënyrë me efikase dhe më të lire se garancitë e NATO-s.”, - u shpreh ministri i Punëve të Jashtme i Estonisë, Markus Cakna.

Derisa kryediplomatët e 32 vendeve anëtare të NATO-s flasin për t’i dhënë ndihmë Ukrainës, mëngjesin e së mërkurës, dronë rusë sulmuan rajonin verior të Çernihivit, duke dëmtuar disa shtëpi në një fshat, bëjnë të ditur autoritetet lokale.

Në rajonin qendror të Vinnytsya, mbetjet e një droni të rrëzuar shkaktuan zjarr në një shtëpi në distriktin Haisin, duke e shkatërruar pjesërisht atë, bëri të ditur Shërbimi i Emergjencave i Ukrainës.

Ndërsa, Forca Ajrore e Ukrainës raportoi se Rusia i përdori një raketë dhe 50 dronë ndaj objektivave në Ukrainë. (Gyltene Sinani, TVM2)