Maqedoni
Incidentet mе flamujt, Toshkovski: Kemi arrestuar 18 persona
04.12.2024 15:15
Tetëmbëdhjetë persona të arrestuar, nga të cilët 4 ndodhen në paraburgim...

Tetëmbëdhjetë persona të arrestuar, nga të cilët 4 ndodhen në paraburgim, ndërsa ndaj dhjetëra të tjerëve janë ngritur padi penale, është bilanci i ngjarjeve të tensionuara që shoqëruan festimet e 28 Nëntorit. Këto informacione u bënë të ditura nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili theksoi se reagimi i policisë ka qenë i shpejtë, efikas dhe i barabartë për të gjithë qytetarët, ndërsa hetimet për motivet e ngjarjeve vazhdojnë.
“Po hetojmë gjithçka që ka të bëjë me këto ngjarje, në drejtimin nëse kanë ndodhur dhe si kanë ndodhur, qoftë nga aspekti i motivit apo nga aspekti i veprimeve që janë kryer. Ne iu përgjigjëm me vendosmëri njëlloj të gjithëve. Gjatë ditës së parë, gjatë festës, ne arrestuam tetë persona, tre prej tyre përfunduan në paraburgim për djegien e flamurit maqedonas. Të nesërmen arrestuam edhe tre të tjerë në Prilep për djegien e flamurit shqiptar. Arrestuam një person në Kumanovë për prishje të simbolit shtetëror të Republikës së Serbisë. Ne kemi ndaluar edhe një person në Kërçovë për rrënjosje dhe shtyrje të flamurit maqedonas dhe shqiptar. Kemi arrestuar një person tjetër, i cili është kapur duke djegur flamurin shqiptar në Shkup.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Interpelanca e Frontit Evropian, Toshkovski: Përpjekje e ulët për manipulim
Megjithatë ministri i Punëve të Brendshme, Toshkovski, do të përballet me interpelancën e ngritur nga Fronti Evropian, të cilët konsiderojnë se institucionet nuk kanë reaguar siç duhet dhe kanë provokuar situatën. Këtë interpelancë Toshkovski e vlerëson si joserioze dhe si tentim për të manipuluar me opinionin.
“Tezat që janë paraqitur në periudhën e kaluar nga opozita, veçanërisht nga BDI-ja, janë në vetvete kontradiktore. Besoj se qytetari i vendit, populli maqedonas e di shumë mirë se çfarë fshihet pas kësaj interpelance sa i përket kërkesës së tyre, u dëshiroj fat. Kuvendi do të veprojë në drejtim të asaj që mendon. Sinqerisht mendoj se kjo është një përpjekje e ulët për të manipuluar opinionin.”, - u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Përndryshe grupi parlamentar i Frontit Evropian ka dorëzuar dje interpelanca për ministrin Toshkovski dhe zëvendësin e tij, Astrit Iseni, të cilët, siç thonë ata, janë kryesisht përgjegjës për incidentet në Ditën e Flamurit Shqiptar, pasi si persona përgjegjës kanë urdhëruar policinë që të ndërhyjë në mënyrë të paparë dhe të pajustifikuar, duke penguar një manifestim tradicional dhe paqësor të shqiptarëve. FE-ja interpelancë ka ngritur edhe për zëvendëskryeministrat, Izet Mexhiti dhe Ivan Stoillkoviq.
ERSAN PAJAZITI
