Maqedoni

Prokuroria, ngritet aktakuzë për të akuzuarit në rastin “Puç”, reagon LSDM: aktakuza vjen nga Mijallkov dhe Gruevski

01.05.2015 15:50

Prokuroria Publike ka ngritur aktakuzë ndaj liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, dhe të gjithë të dyshuarve tjerë në rastin "Puç"...

Zaev, ngarkohet me veprën penale “dhunë kundër përfaqësuesve më të lartë të shtetit”, derisa i akuzuari i parë në këtë rast, Zoran Verushevski, akuzohet për tri vepra penale: “përgjim të paautorizuar”, “spiunazh”, si dhe “dhunë ndaj përfaqësuesve më të lartë shtetërorë”.
 
Gruaja e Verushevskit akuzohet vetëm për spiunazh dhe personi i cili, sipas prokurorisë, ka qenë bashkëpunëtor i familjes në Strumicë, akuzohet vetëm për dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë shtetërorë. 
 
Operuesi i MPB-së me inicialet GJ. L. tani është i akuzuari i dytë dhe ngarkohet për spiunazh dhe veprën penale “përgjim të paautorizuar”. 
 
Lidhur me këtë vendim të prokurorisë kanë reaguar nga LSDM. Nga partia maqedonase në opozitë kanë theksuar se nuk janë befasuar me vendimin e këtillë të prokurorisë, pasi i gjithë sistemi është nën kontrollin e qeverisë, përkatësisht vendimi për aktakuzën vjen nga Mijallkovi dhe Gruevski. 
 
"Ajo që prokurori publik kërkoi nëpërmjet avokatëve të tij, që të dorëzohen pasaportat e të ndaluarve, Sonja Verushevskës dhe Branko Palifrovit, për të zëvendësuar masën e paraburgimit me një tjetër masë më të lehtë të sigurisë, por në fund u vendos për ngritjen e aktakuzës dhe zgjatjen e paraburgimit, konfirmon më tej se vendimi është marrë nga Jovan Ilievski, baxhanaku i Sasho Mijallkovit dhe Marko Zvrlevskit, ekzekutuesi i drejtpërdrejtë i pushtetit të Nikolla Gruevskit"- thuhet në reagimin e LSDM-së.
 
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, po ashtu bën të ditur se ka kërkuar zgjatjen e paraburgimit për të gjithë të dyshuarit në këtë rast, të cilët ndodhen në paraburgim. 
 
SANIJE KASAMI