Maqedoni
Prokurori publik i shtetit urdhëroi kontroll në Prokurorinë e krimit të organizuar
04.12.2024 15:51
Që nga mëngjesi i sotëm prokurorët e Prokurorisë Publike në Shkup po kryejnë kontrolle në Prokurorinë Publike Themelore...

Që nga mëngjesi i sotëm prokurorët e Prokurorisë Publike në Shkup po kryejnë kontrolle në Prokurorinë Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas kësaj Prokurorie, kontrollimi po kryhet në bazë të vendimit të lëshuar nga ana e Prokurorit Publik të shtetit dhe mbikëqyrja sipas tyre po kryhet në pajtim me nenin 21 të Ligjit për Prokurorinë Publike dhe Rregulloren për mbikëqyrjen e punës dhe veprimeve të prokurorive publike të miratuar nga Këshilli i Prokurorëve Publik dhe se mbikëqyrje do të ketë deri në fund të vitit.
“Me vendim të Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të gjithë prokurorët publikë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot po kryejnë kontroll në Prokurorinë Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Paraprakisht, sipas kompetencave të Prokurorisë Publike të Republikës, kontrolli është kryer në të gjitha prokuroritë më të larta publike në vend. Mbikëqyrja kryhet në pajtim me nenin 21 të Ligjit për Prokurorinë Publike dhe Rregulloren për mbikëqyrjen e punës dhe veprimeve të prokurorive publike të miratuar nga Këshilli i Prokurorëve Publikë. Deri në fund të vitit do të bëhet mbikëqyrje mbi veprimet e Departamentit për ndihmë juridike ndërkombëtare në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Zyrës për Ndërlidhje me Eurodrejtësinë në Prokurorinë e Republikës.”, - thanë nga Prokuroria Publike.
Mickoski sërish kritika për Gjyqësorin dhe Prokurorinë
Kontrollet vijnë në kohën kur prokurori shtetëror Lupço Kocevski apeloi për riorganizim të shpejtë në të gjitha Prokuroritë Publike dhe të gjithë prokurorët në mënyrë të shpejtë t’u japin prioritet të gjitha lëndëve ku ka indikacione se ka krim dhe korrupsion, sepse sipas tij, me vëmendje të veçantë janë marrë edhe sugjerimet e kryeministrit Mickoski për rritjen e gatishmërisë për luftë kundër korrupsionit. Kryeministri këto qëndrime i përsëriti sërish.
“Secili prej tyre që nuk do t’i përmbushë kërkesat duhet të jetë i sinqertë dhe të shkojë. Vlerësoj se ky Këshill Gjyqësor dhe Gjyqësori dhe Prokuroria bashkërisht, me këtë besim që kanë tek qytetarët tregon se nuk ia kanë dalë. Pres që të kenë fokus me të veçantë ndaj krimit dhe korrupsionit, e në veçanti ndaj prokurorëve, të cilët në mes të aksionit kur duhet të nënshkruajnë për bastisje apo arrestim, marrin pushime mjekësore.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Edhe rasti i bonuseve plotësuese në Prokurorinë Speciale Publike njoftojnë se nuk do të heshtet. Prokurori i lartë, Jovan Cvetanovski, ka sjellë vendim që hetimet të vazhdojnë. Cvetanovski ka theksuar se për këtë rast, ku ka indikacione të qarta për krim dhe korrupsion dhe një dëm që i është shkaktuar buxhetit në vlerë prej 4.6 milionë, nuk duhet të heshtet, por hetimet të vazhdojnë.
FITIM KRYEZIU
