Eurointegrimi, Mickoski: Pres formimin e zgjidhjeve të mundshme
Kryeministri Hristijan Mickoski...

Kryeministri Hristijan Mickoski, periudhën që vijon pret formimin e zgjidhjeve të mundshme, por jo të menjëhershme për kontestin maqedono - bullgar, pasi institucionet e Brukselit kaluan në duart e udhëheqësisë së re.
Mickoski tha se sikurse komisionarja për zgjerim, por edhe kryetari i Këshillit Evropian tanimë kanë marrë informacione të reja për qëndrimet e Maqedonisë së Veriut, sa i takon ndryshimeve kushtetuese dhe pret që në samitin e radhës të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor më 17 dhjetor, të ketë riaktualizim të çështjes së integrimit.
“Sërish po kalojmë nëpër argumente, debatojmë dhe japim argumente të reja. Megjithatë duhet të keni me dije se ata janë një përbërje e re, dje kishin ditën e dytë të punës. Pjesa më e madhe e informacioneve që po marrin, janë informacione të reja për ata. Duke u nisur nga diskutimet që patëm, pres që në periudhën që po vijon të zhvillohen dhe formësohen zgjidhje të mundshme. Kemi argumente të forta, por nuk besoj në zgjidhje të menjëhershme.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Socialdemokratët konsiderojnë se pushteti po i ik temave kyçe të shtetit, sikurse integrimi. Sipas tyre, VMRO – DPMNE-ja në krye me Mickoskin, gjatë gjithë fushatës folën për ndërrim të kornizës negociuese dhe tani kryeministri pohon të kundërtën. Por, sipas Mickoskit përpjekjet drejt BE-së do të jenë të fuqishme.
Sipas tij, me asnjë hap nuk do të turpërohen qytetarët e vendit dhe as që do të lihet ndonjë shenjë mbi identitetin maqedonas.
Kryeministri ditë më parë në Bruksel në kuadër të konferencës me temë “Institucione të hapura, nëpërmjet transparencës së shtuar dhe komunikimit politik”, në një takim joformal kontaktoi kryetarin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, eurokomisaren e re për zgjerim, Marta Kos, si dhe kryetarin e Partisë Popullore Evropiane, Manfred Veber, nga i cili pret mbështetje. (Meral Ismaili, TVM2)
