Këshilli Komunal në Kumanovë, mbledhje për incidentet e 28 Nëntorit

04.12.2024 16:30

Informata për zhvillimet e ditëve të fundit në Kumanovë....

Informata për zhvillimet e ditëve të fundit në Kumanovë ishte pika e vetme e rendit të ditës së Këshillit lokal për preventivë pranë komunës së Kumanovës. Shkas për thirrjen urgjente të kësaj mbledhjeje ishin ndodhitë e fundit pas festimit të Ditës së Flamurit, djegies së tri veturave dhe një lokali afarist, prona të shqiptarëve dhe rrahjes së disa nxënësve maqedonas nga kryerës të panjohur.

Menjëherë pas takimit, Ivana Gjeorgjievska, kryesuese e Këshillit të komunës së Kumanovës në një konferencë për media ka njoftuar me konkluzat që u morën në këtë mbledhje, për qetësimin e situatës dhe parandalimin e eskalimit të mëtejmë.

“Vëmendje më të veçantë duhet t'u kushtohet nxënësve të shkollave të mesme, të cilët janë të ndjeshëm ndaj provokimeve, për t'i mbrojtur ata nga dukuritë e pakëndshme, të cilat prishin bashkëjetesën në Kumanovën multietnike. Të gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të obligojnë kujdestarët e klasave, të mbajnë orë të jashtëzakonshme kujdestarie dhe t'u bëjnë thirrje fëmijëve për qetësi dhe të mos bien pre e provokimeve. Anëtarët e Departamentit për Parandalim në SPB-Kumanovë të organizojnë panel diskutimi me nxënës të shkollave të mesme. SPB - Kumanovë të shtojë kontrollet nëpër shkolla dhe rrugë ku lëvizin nxënësit para dhe pas mësimit. Të theksohen vendbanimet multietnike të qytetit dhe të ketë vëzhgim nga grupe policore në qendër të qytetit, në shëtitore, sheshe, parqe dhe komplekse sportive.”, -  theksoi kryetarja e Këshillit Komunal të komunës së Kumanovës, Ivana Gjeorgjievska.

Në funksion të ruajtjes së qetësisë edhe degët e BDI-së së Kumanovës dhe Likovës mbrëmë mbajtën mbledhje të jashtëzakonshme të përbashkët rreth situatës së re të krijuar duke apeluar për qetësi dhe syçelëti për të mos rënë pre e provokimeve të ndryshme.

“E dënojmë çdo skenar të errët që ka për qëllim destabilizimin e vendit dhe rrezikimin e sigurisë së qytetarëve tanë, në situata të tilla të jashtëzakonshme është më se i nevojshëm bashkëpunimi i dy strukturave partiake të partisë sonë, respektivisht mes degës së Kumanovës dhe asaj të Likovës. Andaj u dakorduam që periudhën në vijim e që duket mjaft e tensionuar të jemi në koordinim të vazhdueshëm të gjejmë mekanizmat e duhur për të kontribuar në përmirësimin e kësaj situate dhe për të qëndruar pranë qytetarëve në nevojë.”, -  theksoi mes tjerash Ridvan Asani nga BDI, dega e Kumanovës.

Konstatim i përgjithshëm është se prioriteti i të gjithëve është ruajtja e qetësisë, shmangja e çdo lloj provokimi dhe mos rënia pre e thirrjeve për urrejtje ndërnacionale e fetare, sepse kjo më së paku i nevojitet Kumanovës multietnike. (Fatlum Aqifi, TVM2)