Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit, Kurti i njoftoi zyrtarët amerikanë dhe të BE-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti..

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Bruksel ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Xhejms O’Brajan, me të cilin ka biseduar për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Siç njoftojnë nga Qeveria e Kosovës, Kurti ka ndarë me zyrtarin e lartë amerikan detaje për sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës. Kurti i tha ndihmës sekretarit amerikan O’Brajan se “sulmi në Zubin Potok ishte sulmi i dytë “në shkallë të madhe ndaj sigurisë kombëtare, pas sulmit paramilitar më 24 shtator 2023 në Banjskë, që për qëllim kishte aneksimin e veriut të vendit dhe ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës dhe sulmin më të madh dhe më serioz ndaj infrastrukturës kritike, që për qëllim kishte ndërprerjen apo vështirësimin e shërbimeve esenciale, si rryma, uji dhe telekomunikimi, dhe çrregullimin e jetës shoqërore, qytetare, ekonomike dhe të institucioneve.”.
Rreth sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, Kurti në Bruksel ka biseduar edhe me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, si dhe me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Sulmi në kanalin e Ibër Lepencit është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
