Shqipëri, shqetësime për dezinformim me ndikim nga jashtë
Erion Braçe paralajmëron ndryshime të thella ligjore...

Erion Braçe paralajmëron ndryshime të thella ligjore para zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës, pasi sipas tij, dezinformimi, kryesisht nga mediat onlajn dhe ndërhyrjet e vendeve të huaja përmes financimit të fushatave, rrezikojnë integritetin e procesit zgjedhor.
“Në qoftë se ky boshllëk ligjor nuk do të përmbushet do të ketë probleme të mëdha në zgjedhjet e ardhshme, edhe në drejtim të financimit të fushatave elektorale, edhe në drejtim të dezinformimit.”, - deklaroi kryetari i Komisionit të dezinformimit, Erion Braçe.
Shqetësimin për dezinformimin që vjen përmes mediave onlajn pre e propagandës ruse, e ngriti edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
“Propaganda politike e Moskës nuk vjen direkt nga Moska, por vjen e ripaketuar në të njëjtën mënyrë si të vinte nga andej dhe shpërndahet përmes satelitëve të saj në rajon. 90% e kësaj propagande ruse bëhet në gjuhën serbe. Kohën e fundit vlerësohet se infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon i janë shtuar portale edhe në gjuhën shqipe.”, - theksoi ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
Për të ndërhyrë në situata dezinformimi, institucionet thonë se e kanë të pamundur edhe për shkak të boshllëkut ligjor, që do të jetë prioriteti i komisionit të posaçëm. (Luljeta Ndoka, TVM2)
