Maqedoni
Neziri: Partitë politike, fajtore që flasim për destabilizim
04.12.2024 17:33
Ne kemi përvojë më të madhe të jetës në diversitete se sa ka vetë Bashkimi Evropian...

Ne kemi përvojë më të madhe të jetës në diversitete se sa ka vetë Bashkimi Evropian, dhe është koha që më shumë të flasim për evropianizim se sa për destabilizim, ndërsa faktorë kryesorë në këtë drejtim janë partitë politike, thekson për TVM2 analisti politik, Xhelal Neziri.
“Faktorë kryesorë që sot flasim për destabilizim dhe jo evropianizim janë partitë politike. Për shkak se partitë politike janë faktorë në atë që quhet sistem politik të Maqedonisë së Veriut, por jo vetëm këtu, gjithkund janë partitë politike, forma të organizimit politik, të cilat duhet të kenë parasysh interesin e përgjithshëm të qytetarëve ose të atyre që përfaqësojnë. Mirëpo ne kemi në fakt parti të cilat më tepër luajnë në emocionet e qytetarëve se sa i artikulojnë interesat e qytetarëve. Dhe pikërisht kjo qasje makiaveliste do të thoja ndaj politikës dhe veprimi i tyre makiavelist në politikë e imponon më shumë temën e destabilizimit se sa të evropianizimit.”, - deklaroi analisti, Xhelal Neziri.
Neziri: Në BE askujt nuk i pengojnë flamujt e ndryshëm
Në lidhje me ngjarjet e fundit, Neziri thotë se vlerat e BE-së janë të rrënjosura natyrshëm atje, ku valëviten flamuj të ndryshëm dhe pavarësisht identitetit të tjetrit ato nuk nxisin reagime.
“Ja, ta zëmë tek flamujt që u dogjën kohëve të fundit, ju mund të shihni edhe flamuj zyrtarë që janë me ligj të definuar në vendet evropiane, por edhe shumë flamuj të tjerë që as nuk dihet se cilit shtet i takojnë dhe që valëviten lirisht dhe askujt nuk i pengon ajo valëvitje, për shkak se flamujt janë simbole me të cilat dikush shpreh një lloj identiteti, shpreh një lloj mendimi, shpreh një lloj qëndrimi. Nuk ka rëndësi kush çka është, me rëndësi të jetë në atë dimension që ka përcaktuar vetë Bashkimi Evropian, pra të respektimit të ligjit, të demokracisë, të respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, të barazisë së plotë. Pra, të gjitha.”, - theksoi analisti, Xhelal Neziri.
Edhe në diskursin publik fatkeqësisht dominon më shumë tema e destablizimit të vendit se sa e evropianizimit të vendit dhe ky lloj debati ndikon edhe në përkrahjen për integrimin në BE, nënvizon Neziri.
Shton se është detyrë e mediave, organizatave joqeveritare, por edhe vetë qytetarëve ta kuptojnë këtë lojë dhe ta kundërshtojnë këtë dhe të thonë se ne dëshirojmë të kalojmë në një fazë tjetër të pjekurisë sonë.
LEUNORA KALIQI
