Botë

Takimi i OSBE-së në Maltë, Blinkeni dhe Lavrovi pritet të flasin për Ukrainën

05.12.2024 11:30

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken...

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, mund të përballen për luftën në Ukrainë gjatë një takimi vjetor të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Maltë.

Derisa Ukraina do të jetë çështja kryesore politike, gjatë këtij takimi pritet që formalisht të aprovohen marrëveshje të arritura në çastet e fundit për çështje, përfshirë edhe pozitat e larta për siguri dhe të drejtat e njeriut në këtë organizatë, ku fuqitë perëndimore shpesh e akuzojnë Rusinë se i shkel të drejtat e njeriut dhe normat ndërkombëtare. Kjo është vizita e parë e Lavrovit në Bashkimin Evropian, që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
 
Lavrovi dhe Blinkeni nuk kanë përcaktuar takim mes vete. Prej se Rusia e nisi luftën në Ukrainë, ata kanë marrë pjesë kohë pas kohe në tubimet e njëjta ndërkombëtare, por ndërveprimet e tyre janë kufizuar.