Maqedoni
Të drejtat e punëtorëve, të degraduara në 5 vitet e fundit
01.05.2015 16:07
Në pesë vitet e fundit, Maqedonia nuk ka arritur të ripozicionojë rolin e punëtorit për sa i takon vlerës së tij, por edhe pagës...

Vlerësimi vjen nga njohësi i së drejtës së punëtorëve, Bashkim Selmani, bazuar në një anketë të zhvilluar kohëve të fundit.
Nga hulumtimi i bërë, 22% e punëtorëve në vend janë shprehur se gëzojnë një status më të ulët nga ai i pesë viteve më parë.
Sipas Selmanit, më të degraduar janë të punësuarit e sektorit privat pas falimentimit të 3700 ndërmarrjeve vetëm në Maqedoninë perëndimore.
“Maqedonia nuk ka bërë një investim dhe një politikë sociale, e cila do të kontribuonte në pjesëmarrjen dhe rolin e punëtorëve në RM. Njëra është pjesa e mbylljes së sektorit privat, po ashtu mbyllja e shumë ndërmarrjeve dhe kompanive publike. Një pjesë e kapitalit, që është dashur të qarkullojë në duart e punëtorëve, tanimë atë nuk e kanë punëtorët”- deklaroi njohësi i të drejtave të punëtorëve, Bashkim Selmani.
Edhe sindikalistët konsiderojnë se punëtori në sektorin privat ka humbur sigurinë në vendin e punës si pasojë e angazhimit të përkohshëm dhe mosmarrjen e pagës në kohë. Ata kërkojnë t’i thuhet stop këtyre fenomeneve.
“Do të duhet që një herë e përgjithmonë, që me ligj të përpilohet një normë. Ata të cilët dëshirojnë që të përfitojnë dhe të shfrytëzojnë fuqinë punëtore, do të duhet që atyre t’i garantojnë një siguri më të madhe në vendin e punës”- tha kryetari i Sindikatës së Ndërtimtarisë, Pavell Trendafillov.
Por, njohësi i të drejtave të punëtorëve, Bashkim Selmani, thotë se sindikatat duhet të jenë më aktive në avancimin e pozitës së punëtorëve pa u ndikuar nga politika.
“Edhe pse ata e dinë situatën reale se në çfarë gjendje është pozita e të punësuarve, por ata deri më tani nuk kanë dëshmuar ndonjë qëndrim siç i detyron ligji dhe kushtetuta e RM-së”- theksoi njohësi i drejtave të punëtorëve, Bashkim Selmani.
Sipas Selmanit, gjendja nuk është e lakmueshme as në sektorin publik, ku stërngarkimi i institucioneve shtetërore ka bërë që të punësuarit të mos jenë aktiv në vendin e punës.
MERAL ISMAILI
