Produktet bazë ushqimore, siç janë buka, drithërat, produktet e furrës, mishi, produktet e përpunuara të mishit, peshku, qumështi, produktet e përpunuara të qumështit, siç janë djathi dhe kaçkavalli, ëmbëlsirat, frutat, perimet e freskëta, të ngrira dhe të konservuara, pijet alkoolike dhe joalkoolike, do të shiten me 10 për qind e më shumë ulje se tani. Me konsensus të gjerë përfaqësuesit e ekzekutivit, të odave ekonomike, prodhuesit, distributorët dhe tregtarët promovuan shportën e vitit të ri për konsumatorët, e cila përfshin rreth 675 produkte ushqimore. Shporta e vitit të ri hyn në fuqi më 15 dhjetor dhe do të vlejë një muaj. Kryeministri Hristijan Mickoski u shpreh i kënaqur nga marrëveshja e arritur mes tregtarëve dhe distributorëve dhe pret që ajo të respektohet në praktikë, ndërsa qytetarët të ndjejnë çmimet më të lira gjatë festave të fundvitit.
“Të gjithë u dakorduam që në periudhën prej më 15 dhjetor deri më 15 janar çmimet e mbi 600 produkteve ushqimore të ulen apo të brendohen si më parë nën logon “Kujdesemi, më pak shpenzime, më shumë për ty”. Në këtë mënyrë ne po kujdesemi që qytetarët gjatë festave të fundvitit të kenë çmime më të volitshme. Shporta e vitit të ri nuk është bërë me masë ndërhyrëse qeveritare, por është zgjidhje konsensuale dhe për këtë arsye nuk parashikohen ndëshkime. Pres aksion të suksesshëm, pres çmime më të ulëta në prag të festave të fundvitit dhe po pres qytetarë të lumtur.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Shporta e vitit të ri do t’u nënshtrohet kontrolleve të brendshme të inspektoratit, por jo edhe të ndëshkimeve, pasi që ajo është arritur me konsensus të gjerë mes përfaqësuesve dhe nuk është e shpallur si masë qeveritare. Por, pavarësisht kësaj, autoritet e vendit nuk presin që e njëjta të mos respektohet nga tregtarët. Numri “një” i ekonomisë dhe punës, Besart Durmishi, thotë se shporta e vitit të ri, dallon nga masat e mëhershme, pasi që e njëjta përfshinë një gamë e gjerë të produkteve ushqimore, lista e produkteve e cila është bërë bashkërisht.
“Inspektorati i Tregut do të jetë në terren, do të kontrollojë kompanitë a e respektojnë këtë aksion apo jo. Normalisht ato kompani të cilat na kanë propozuar vetë çmimet e produkteve, të cilët do t’i ulin prej 10 për qind e më lartë dhe nëse ka informacione të tilla që nuk e respektojnë atë propozimin të cilin vetë kanë bërë do të ulemi dhe do t’i pyesim se cila është arsyeja, ndërsa Inspektorati i tregut do të jetë në terren dhe do të bëjë kontrollin në bazë të përgjegjësive të cilët i ka.”, - theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Lista e shportës së vitit të ri nuk është përfundimtare, pasi që autoritet parashikojnë të njëjtën të zgjerojnë edhe me produkte të tjera. Produktet e shportës së vitit të ri, në raftet e shitjes do të jenë të eksponuara me etiketë “Po kujdesemi, më pak shpenzime, më shumë për ty”.
REXHEP QAMILI