Maqedoni
Korrupsioni mbetet sfidë për RMV-në, lufta kundër tij duhet të jetë e përbashkët
05.12.2024 15:00
Korrupsioni mbetet sfidë për çdo shoqëri dhe shtet dhe lufta kundër tij duhet të jetë e përbashkët u tha me rastin e ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit...

Korrupsioni mbetet sfidë për çdo shoqëri dhe shtet dhe lufta kundër tij duhet të jetë e përbashkët u tha me rastin e ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit. Parandalimi i korrupsionit përfshin angazhimin e përbashkët të institucioneve shtetërore, organizatave joqeveritare dhe të gjithë qytetarëve, në të gjitha nivelet e qeverisjes, u tha me këtë rast.
“Nga angazhimi dhe përkushtimi ynë varet edhe qëllimi ynë i përbashkët e ajo është lufta e suksesshme dhe e pakompromistë ndaj korrupsionit. Mysafirët tanë që janë personalitete të shquara nga skena vendore dhe ndërkombëtare, përmes zbatimit të politikave për përforcimin e transparencës dhe përgjegjësisë janë miqtë tanë dhe njëkohësisht aleatët tanë në luftën kundër korrupsionit.”, - deklaroi kryetarja e KShPK-së, Tatjana Dimitrovska.
“Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë gjithëpërfshirëse, pra një angazhim i institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe çdo qytetari. Vetëm kështu mund të sigurojmë që transparenca, llogaridhënia dhe ndershmëria janë parime që orientojnë çdo veprim dhe organizim të shtetit.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
“Ne patjetër duhet të ndryshojmë mënyrën e të menduarit dhe t’i përshtatim politikat dhe masat për aktivitete për të prevenuar korrupsionin. Qytetarët tanë i kemi mësuar t’u gëzohen masave represive dhe të mos diskutojnë për masat preventive. Duhet të promovojmë fushatë efikase.”, - u shpreh Maksim Acevski nga Revizioni Shtetëror.
Partnerët evropian: Mungojnë rezultatet, nevojiten ndryshime juridike, institucionale
Partnerët evropian të vendit potencuan se edhe pse politikanët deklarojnë se do të luftojnë kundër krimit dhe korrupsionit, në praktikë nuk shihen rezultate.
“Për të luftuar korrupsionin nevojiten ndryshime juridike dhe institucionale, angazhim politik të një niveli më të lartë dhe në kuadër të institucioneve angazhim shtesë që të kyçet Qeveria, Kuvendi, mediat, shoqëria civile. Duhet të ndryshohet mentaliteti, të mos pranohet sjellje korruptive dhe nepotizëm.”, - deklaroi Ben Nuphau, delegacioni i BE-së në RMV.
“Lufta kundër korrupsionit kërkon ndjekje dhe resurse shtesë financiare, teknike dhe njerëzore që të munden institucionet të zbatojnë mekanizmat kontrolluese. Për këtë qëllim, Zvicra përmes projektit përforcimi i integritetit në nivel komunal punon për përforcim të kapaciteteve për luftë kundër korrupsionit.”, - theksoi ambasadorja e Zvicrës në RMV, Veronik Ulman.
Në shtëpinë ligjvënëse është iniciuar edhe amendament kushtetues, që të mos ndodhë vjetërsimi i veprave penale, që kanë të bëjnë me korrupsionin politik. Ndërkohë do të thellohet bashkëpunim edhe me Prokurorinë Publike, Policinë Financiare dhe të gjitha institucionet e tjera kyçe, që luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.
FLUTURA LATIFI
