Maqedoni

Takim liderësh, Mickoski: Nuk ka nevojë për takim, gjendja e qetë

05.12.2024 15:15

Kryeministri Hristijan Mickoski refuzon të thërrasë takim liderësh me kërkesë të LSDM-së opozitare, për gjendjen e sigurisë....

Kryeministri Hristijan Mickoski refuzon të thërrasë takim liderësh me kërkesë të LSDM-së opozitare, për gjendjen e sigurisë. Ai nuk e sheh të arsyeshme të mbledhë liderët e partive, pasi konsideron se situata është e qartë dhe e vënë nën kontroll pas incidenteve të 28 dhe 29 nëntorit. Takimet e liderëve sipas kryeministrit mund të mbahen për vizione të së ardhmes.
 
“Situata është e qartë, e vënë nën kontroll. Qëllimi ishte të shkaktohet reagim i ashpër i MPB-së, mos dhashtë zoti të kishim edhe të vdekur dhe atëherë të krijohej konflikt dhe tensionim. Nuk e përjashtoj mundësinë për takim liderësh, për të folur për të ardhmen, për politika të përbashkëta. Mund edhe veçmas të shihemi me kryetarët e partive politike, nëse kanë diçka kreative për të ndihmuar në drejtim të zhvillimit të shtetit.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Interpelanca e BDI-së, Mickoski: Përshëndes kundërshtimin e LSDM-së
 
Kryeministri përshëndet edhe qëndrimin e LSDM-së që të kundërshtojë interpelancat e dorëzuara nga BDI-ja ndaj ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski dhe zëvendësit të tij, Astrit Iseni. Kryeministri konsideron se në këtë formë po izolohen ekstremet e shoqërisë.
 
“Kemi ekstreme në shoqëri, të cilët duan të na tërheqin mbrapa në moçalin politik dhe mua më vjen mirë që një pjesë e partive opozitare janë të vetëdijshëm për këtë dhe së bashku nuk do të lejojmë që këto ekstreme të na tërheqin. Edhe qytetarët po i izolojnë të gjithë ata të cilët janë për pasiguri, destabizilim, konflikte. Në këtë rol është sot BDI-ja.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
VLEN: LSDM-ja e kuptoi BDI-në
 
Nga VLEN-i konsiderojnë se LSDM-ja e ka kuptuar se BDI-ja është një barrë e rëndë për çdo partneritet dhe një makineri që prodhon vetëm kriza dhe korrupsion.
 
“LSDM-ja tani po bën një hap të vonuar drejt distancimit nga BDI-ja. Duke kërkuar falje publike për dështimet e saj, BDI-ja nuk është vetëm e izoluar nga qytetarët dhe votuesit, por edhe nga partnerët e saj të deridjeshëm.”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
 
Integristët me akuza ndaj Mexhitit
 
Kundërpërgjigjen nga BDI-ja duke drejtuar akuza të drejtpërdrejta ndaj zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti, duke e cilësuar si politikan manipulator, i cili s’do të arrijë të gënjejë qytetarët për agjenda personale. Integristët kërkojnë votëbesim edhe për zëvendëskryeministrin e parë, Mexhiti, dhe zëvendës kryeministrin, Ivan Stoillkoviq.
 
MERAL ISMAILI