Maqedoni
Transporti publik në Shkup, i pasigurt, zgjidhja e problemit pritet të ndodhë javën tjetër
05.12.2024 15:31
Edhe pse para disa ditëve u krijua përshtypje se pas ndërhyrjes së Qeverisë situata në Transportin Publik do të rregullohet...

Edhe pse para disa ditëve u krijua përshtypje se pas ndërhyrjes së Qeverisë situata në Transportin Publik do të rregullohet, një gjë e tillë assesi të ndodhë. Qeveria fillimisht kishte ndarë plotë 250 tonë karburant për ndërmarrjen për Qarkullim Publik, karburant ky i cili u dha nga rezervat e naftës, deri në lidhjen e kontratës së re me furnizuesin. Por, për fat të keq, litrave të marra po u vije fundi, ndërsa NQP-ja akoma nuk ka rregulluar çështjen e furnizimit me karburant. Sipas drejtorit të Ndërmarrjes për Transport Publik, Dragi Kushovski, ato kanë mbaruar detyrimet e tyre.
“Gjithçka ka përfunduar, por për procedurat e mëtutjeshme mund të informoheni tek byroja për prokurime publike. Këtu ka një komision, që i udhëheq çështjet e tenderimit dhe ky komision më informon dhe ato janë duke i mbaruar procedurat e tyre në bazë të procedurave ligjore dhe unë nuk jam pjesë e këtij komisioni. Gjatë ditës së sotme apo nesër do të informohem për aspektin përfundimtar.”, - deklaroi drejtori i NTP-së, Dragi Kushovski.
Ndërsa nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, ka theksuar se Qeveria nuk do të qëndrojë kështu me duarkryq, por sipas tij fillimisht i është dhënë mundësi procedurave ligjore.
“Ne si Qeveri nuk do të qëndrojmë ashtu duke mos e mbikëqyrur gjendjen se çka është duke ndodhur, por e kemi lënë të shohim sot apo nesër të shohim se çka po ndodh, mos vallë ka ndonjë zhvillim të ri apo ndonjëri prej operatorëve ekonomik mos po ndryshon qasjen. Por, fundi, ne si Qeveri patjetër se duhet të intervenojmë, që këtë çështje ta rregullojmë përmes ndonjë borxhi. Por, në ato situata parashtrohet pyetja, se deri kur kështu dhe unë mendoj se duhet të intervenojmë në ligjin për decentralizim, që të mund t’i marrim kompetencat dhe t’i rregullojmë disa gjëra deri në stabilizim të gjendjes.”, - theksoi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Situata me Transportin Publik u përkeqësua, pasi kompania e cila furnizonte me karburant Ndërmarrjen për Transport Publik, vendosi të ndërpresë kontratën, sepse sipas tyre, borxhi është rritur dhe ndërmarrja nuk ka shlyer as borxhet e kaluara.
FITIM KRYEZIU
