Botë
Shqipëri, përplasje në Kuvend për faljen e gjobave
05.12.2024 16:33
Njoftim i kryeparlamentares Elisa Spiropali, për një draft të propozuar nga socialistët për faljen e gjobave të vëna...

Njoftim i kryeparlamentares Elisa Spiropali, për një draft të propozuar nga socialistët për faljen e gjobave të vëna për ndërtimet pa leje në fshat, krijoi një debat të ashpër në Parlament. Opozita e akuzoi Spiropalin, se po shkelte rregulloren pasi drafti nuk ishte gati, por po e bëjnë për motive elektorale.
Gazment Bardhi: “Ligjet nuk vijnë me sms, tregoje. Gënjyet Kuvendin. Po e çon tani, ke letra dhe firma me fletë të bardhe.”
Elisa Spiropali: “Është kërkesë e 40 deputetëve.”
Gazment Bardhi: “Ju e keni përpara?”
Elisa Spiropali: “Ju lutem sekretarisë vërjani në dispozicion kërkesën e 40 deputetëve.”
Gazment Bardhi: “Tregoje kërkesën, ku e ke?”
Përveç debatit, edhe pse ende pa projektligj përpara, demokratët akuzuan PS-në se vjen me këtë propozim pasi për 12 vite gjobiti dhe burgosi shqiptarët.
“Është Gjykata Kushtetuese që ju ka thënë që ai ligj që keni miratuar bie ndesh me Kushtetutën e Republikës, boll na sollët dëngla e bëni sikur ju digjet barku për qytetarët. Jeni kapur me presh në duar në xhepat e qytetarëve të varfër. Gjobat për ndërtime për strehim janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.”, tha Bardhi
“Me këtë dhembshurinë e faljes së gjobave na këputët shpirtin, ju që keni 12 vite që i masakroni njerëzit, nuk guxoni ti ndalni ata që ndërtojnë pallate e kulla në mes të Tiranës, ua legalizoni ndërtimet pa leje. Kemi 12 vjet që arrestoni hallexhinj që mbulojnë çatinë se u shiu brenda, tani vutë zemrën dhe u bëtë të dhimbsen.”, tha Nallbati
Për herë të parë seanca u shty pas një lumi fyerjesh të paprecedentë mes demokrates, Ina Zhupa, dhe socialistit, Erjon Brace.
LULJETA NDOKA
