Botë

Arrestime dhe bastisje në Kosovë, ZPS: Ka dyshime për pengim të drejtësisë

05.12.2024 17:16

Gjykata Speciale në Hagë ka arrestuar ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës...

Gjykata Speciale në Hagë ka arrestuar ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj; ish-këshilltarin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliun, vëllain e heronjve Fahri e Bahri Fazliut. Arrestimin e kanë konfirmuar familjarët e tyre.
 
Ndërkaq, sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, operacioni është një vazhdimësi e proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. “Operacionet janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).”, thuhet në komunikatën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. 
 
Klinaku: Arrestimet janë pa fakte
 
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, për RTK-në ka thënë se Gjykata Speciale po vazhdon “gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë”.
 
“Ne vazhdimisht e kemi kundërshtuar këtë Gjykatë Speciale. Po ashtu e kemi kundërshtuar edhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, sepse nuk është dashur që t’i arrestojnë njerëzit pa pasur fakte. Ju e dini se atje, krerët e UÇK-së dhe bashkëluftëtarët i kanë mbajtur me vite në paraburgim, para se me ua ngritur edhe aktakuzat, për shkak se edhe këto procese gjyqësore që po i shohim po ju dështojnë, për shkak se nuk kanë fakte dhe po i bëjnë këto spektakle, siç është arrestimi i sotëm i pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së.”, -  ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku.
 
Nën dyshimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, Specialja ka bastisur shtëpisë së ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU