Maqedoni
Rasti “Monstra”, 3 vjet nga bastisjet dhe arrestimet
01.05.2015 16:54
Ndonëse kaluan tre vite nga bastisjet dhe arrestimet në aksionin policor operativ, “Monstra”...

Ndonëse kaluan tre vite nga bastisjet dhe arrestimet në aksionin policor operativ, “Monstra”, trishtimi i asaj dite akoma shkakton dhimbje, shprehen familjarët e të akuzuarve në këtë rast.
Jemi munduar të sensibilizohet rasti, por nuk jemi të fuqishëm kundër një aparature shtetërore, thonë familjarët.
Bedri Ajdari, familjar i të akuzuarve Aziri, thotë se ministrja Jankullovska, dy ditë pas arrestimit, përmes press-konferencës në rolin e gjykatëses i shpalli fajtorë të arrestuarit, ndërsa të tjerët prezent rreth saj si gjykatës porotë, mbështetën deklaratën e saj.
“Jemi munduar me forcat tona, po kuptuam se kjo nuk kalon lehtë dhe u munduam gjithandej të kërkojmë ndihmë, sepse kjo ishte diçka e panjohur për ne. Në konsultime me avokatë të ndryshëm dhe ekspertë maqedonas dhe shqiptarë menjëherë ma kanë bërë me dije se nuk të ndihmon asnjë avokat, qoftë i mirë apo shumë i mirë, nuk të ndihmojnë as njëmijë avokatë pas asaj që u shpall. Me vetë shpalljen e aktgjykimit, ditën e dytë kur përfundonte paraburgimi nga ana e ministres së MPB-së se i kemi kapur vrasësit, të gjithë avokatët ma kanë bërë me dije se këtu pas vete ke shtetin, Zoti ju ndihmoftë, këtë nuk mund ta zgjidhë as avokati, as gjykatësi e askush përveç politikës”- tha familjari, Bedri Ajdari.
Nëna e Sami Lutës, Ibadete Luta, thotë se drejtësinë e kanë kërkuar gjithandej, por që askush nuk iu ka dalë në ndihmë.
“Askush nuk na i hapi dyert, tentuam në institucione, por jo. Mbetëm dy gra si dy zogj pa krahë, por neve prapë nuk ndejtëm duarkryq. Këtu s’ka drejtësi. Edhe për ata djemtë na vjen keq se edhe ata janë të pafajshëm. Ky është rast i montuar, këtë të gjithë e dinë. Kisha thënë se nuk duam që sot shqiptaria të jetë e ulur dhe e shtypur, se sot djalin tim, nesër të të tjerëve. Qeveritarët të marrin masa në Gushincë, rasti i Sopotit, neve shumë keq na vjen për ato raste, le të marrin masa se kështu nuk shkon më. Më duket se i erdhi fundi jo vetëm për djalin tim, por për të gjithë shqiptarët, për vëllezërit që janë të pafajshëm nëpër burgjet e Shutkës, veç ta shihni se sa vuajnë nënat dhe motrat tona”- deklaroi nëna e Sami Lutës, Ibadete Luta.
Familjarët e të akuzuarve tani presin me padurim publikimin e “bombave” të opozitës, që kanë të bëjnë me rastin “Monstra”, pasi përgjimet e opozitës vetëm do të konfirmojnë bindjet e tyre.
“Për mua janë irelevante “bombat”, sepse unë e kam ditur se i kam pasur “bombat” tona, se njerëzit janë të pafajshëm, por kjo është për ta ditur opinioni më i gjerë, bile edhe shqiptarët e kanë ditur vite me radhë se ç’po ndodhë me shqiptarët, po tani kanë filluar ta kuptojnë edhe qytetarët maqedonas, të cilët as që e kanë menduar se ndodhin kështu gjëra dhe me shpalosjen e tyre po shihet si dhe me çka ka punuar pushteti, sidomos në kurriz të shqiptarëve”- theksoi familjari, Bedri Ajdari.
Përgjimet e opozitës janë në favor të rastit edhe pse edhe deri më tani kemi qenë të sigurt se janë të pafajshëm ,shprehet avokati mbrojtës, Naser Raufi.
“Vetë lëndët tregojnë se mungojnë prova dhe arsyeja është e thjeshtë, se këto nuk janë kryerësit e delikteve në të dy rastet, d.m.th. janë gjetur njerëz të pafajshëm vetëm se të plotësohet numri apo të krijohet një lëndë që është ironitet në të gjithë botën”- u shpreh avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Njëherit, familjarët thonë se do t’i mbështesin protestat e paralajmëruara nga opozita për në maj të këtij viti.
Gjashtë shqiptarët të dënuar me burg të përjetshëm në këtë rast akuzohen për vrasjen e pesëfishtë në afërsi të liqenit të Smillkovcës.
Aktvendimi për rastin “Monstra” shkaktoi protesta të ashpra të qytetarëve nga komuniteti shqiptar në vend, ndërsa rasti edhe pas tre vitesh nuk po gjen epilog përfundimtar dhe aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit.
FLORIJE KAMBERI
