Maqedoni

BDI-ja për Ligjin për gjuhët: Më 11 dhjetor mund të ndryshojë gjithçka, nuk kemi përgjegjësi për pasojat

06.12.2024 11:44

BDI-ja thotë se 11 dhjetori, dita kur Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancë për vlerësimin e kushtetutshmërisë për Ligjin e gjuhëve...

BDI-ja thotë se 11 dhjetori, dita kur Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancë për vlerësimin e kushtetutshmërisë për Ligjin e gjuhëve, është dita që mund të ndryshojë gjithçka. Nga BDI-ja madje thonë se nuk do të mbajnë përgjegjësi për pasojat e mundshme.
 
“Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që më 11 dhjetor të marrë në shqyrtim kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe të bashkëjetesës ndëretnike. Çdo përpjekje për të shfuqizuar cilëndo dispozitë të këtij ligji nuk është thjesht një veprim juridik, por është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit dhe paqes që ky vend ka ndërtuar me shumë sakrifica”.
 
“BDI-ja e konsideron këtë moment si një pikë kritike, ku çdo veprim që synon të prishë këtë balancë delikate është kapërcim i rubikonit. Nëse një herë që kjo vijë kalohet, nuk do të ketë më kthim pas!. Nëse Gjykata Kushtetuese vendos të shkatërrojë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit, pasojat do të jenë të parikuperueshme dhe ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për atë që mund të pasojë.”.
 
“U bëjmë thirrje qytetarëve, liderëve politikë dhe bashkësisë ndërkombëtare që të veprojnë menjëherë për të parandaluar këtë akt që rrezikon stabilitetin e vendit dhe të rajonit. Shqiptarët dhe të gjitha komunitetet që besojnë në drejtësi dhe barazi nuk mund të heshtin përballë këtij kërcënimi.”, thuhet në komunikatën me shkrim të BDI-së.