Maqedoni

Zaev: protesta e madhe më 17 maj, në Shkup

01.05.2015 17:25

Protesta e madhe e opozitës do të mbahet më 17 maj në Shkup. Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev...

Protesta e madhe e opozitës do të mbahet më 17 maj në Shkup. Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, edhe zyrtarisht paralajmëroi protestën e madhe dhe ftoi të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë politike, etnike dhe fetare që t’i bashkëngjiten nismës së opozitës, për të rrëzuar nga pushteti një qeveri që, sipas tij, ka shkelur të gjitha vlerat bazë të siguruara me kushtetutë.   
 
“E shfrytëzoj rastin që t’ju ftoj të gjithëve, të gjithë popullin tonë, të gjithë që e dinë se është koha e duhur për të ndërmarrë hapa. Ju ftoj populli ynë, edhe maqedonas, edhe shqiptarë, edhe turq, edhe serbë, edhe romë, edhe boshnjakë, edhe vllehë. Ju ftoj të gjithëve edhe parti politike, shoqata qytetare, edhe punëtorë, edhe bujq, edhe mjekë, edhe profesorë, edhe mësues. Ju ftoj të gjithë ju qytetarë në protestë të madhe mbarëpopullore, të dielën, më 17 maj, në kryeqytetin e Republikës së Maqedonisë, në Shkup”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Pas publikimit të një sërë dëshmish për keqpërdorim pushteti, sipas Zaev-it, qytetarët nuk duhet të rrinë duarkryq. Sipas tij, është përgjegjësi e kësaj gjenerate para gjeneratave që vijnë, që të mbrojnë rendin kushtetues nga keqpërdoruesit.  
 
“Kur dimë çdo gjë, a mundemi të heshtim, të pëshpëritim dhe të mos ndërmarrim asgjë?! A nuk jemi të vetëdijshëm se tani të gjithë jemi dëshmitarë të asaj që ka ndodhë në Maqedoni dhe sot të gjithë mund të dëshmojmë se çfarë e keqe dhe çfarë bande kriminale ka pushtetin në vendin tonë”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Ftesa për protesta u bë mbrëmë pas publikimit të një kompleti tjetër të incizimeve audio, të publikuara në Kavadar, ku opozita së bashku me banorët e këtij vendi marshuan nëpër qytet.
 
SHPËTIM NUREDINI