Maqedoni
Veles, përfundoi stërvitja ndërkombëtare ushtarake
06.12.2024 14:33
Në kazermën "Alekso Demnievski-Bauman" në Veles, për herë të parë që nga pavarësia e vendit është mbajtur stërvitje...

Në kazermën "Alekso Demnievski-Bauman" në Veles, për herë të parë që nga pavarësia e vendit është mbajtur stërvitje më e madhe ndërkombëtare ushtarake e titulluar si "Maple Arch 24", në të cilën morën pjesë rreth 600 personel ushtarak nga katër ushtri aleate dhe dy ushtri partnere dhe e cila ka zgjatur plot dy javë. Kjo stërvitje ushtarake sipas Ministrit të Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, ka treguar se vendi ofron kushte për stërvitje të tilla që janë në përputhje me standardet e NATO-s.
“Kur të flasim për stërvitje ushtarake, çdoherë qëllim primar është i njëjtë e ajo është bashkëpunimi inter-operabil, që është themeli në të cilën mundemi të gjithë bashkërisht si aleatë ta garantojmë sigurinë e Aleancës së NATO-s, por edhe njëkohësisht ta rrisim bashkëpunimin me miqtë tanë.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
Ambasadorja e Kanadës, Mishel Kamerun, vendi i së cilës ishte edhe organizator i kësaj stërvitjeje ushtarake, tha se RMV-ja me këtë stërvitje ka treguar interesim për të punuar drejt përmirësimit të kushteve në armatë, e që është në përputhje me standardet e NATO-s.
“Ishte një stërvitje ushtarake, e cila ishte e organizuar në mënyrë të mrekullueshme, dhe me këtë RMV-ja ka treguar rolin e saj të liderit dhe ofrues i mundësive edhe për ushtritë tjera, të cilët kishin mundësi t’i tregojnë aftësitë e tyre vepruese.”, - theksoi ambasadorja e Kanadasë në vend, Mishel Kamerun.
Kjo stërvitje ushtarake u zhvillua në vendin tonë që nga 25 nëntori, ku përveç pjesëtarëve të ushtrisë maqedonase, morën pjesë pjesëtarë të forcave të armatosura të Kanadasë, Polonisë, Lituanisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
FITIM KRYEZIU
