Botë
Gjykata Speciale, tre të arrestuar në Kosovë u nisën drejt Hagës
06.12.2024 14:51
Janë nisur për në Hagë, tre të arrestuarit nga Gjykata Speciale, të cilët ishin arrestuar të enjten...

Janë nisur për në Hagë, tre të arrestuarit nga Gjykata Speciale, të cilët ishin arrestuar të enjten. Bëhet fjalë për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj; ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe vëllain e heronjëve të Kosovës, Fahri dhe Bahri Fazliut, Fadil Fazliu. Familjarët nuk kanë informacione se në çfarë cilësie apo për çfarë akuze janë arrestuar.
“Në shtator të vitit të kaluar është bastisur banesa ku jeton Fadili dhe sot në mëngjes duke shkuar në punë ka ndodhur arrestimi i tij. Dhe ma ka konfirmuar se është arrestuar, por nuk ma kanë thënë për çfarë arsye është arrestuar. Unë e kam kërkuar edhe tash arsyen, tha se nuk mund të japim më shumë diçka. Fadili i ka takuar të gjithë kur ka qenë në Hagë në vizitë vitin e kaluar.”, - tha një familjar.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në një njoftim për media ka thënë se në vazhdimësi po kryen operacione në Kosovë që ndërlidhen me procesin hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Ish-presidenti, Hashim Thaçi; ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-koordinatori i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, nën akuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, vepra të cilët dyshohet të jenë kryer deri sa ishin eprorë të lartë të UÇK-së. Ata kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.
GYLTENE SINANI
