Ekonomi

Seanca e dytë e KES-it, shans për rritjen e pagës minimale ne 450 euro

06.12.2024 15:13

Rritja e pagës minimale në 450 euro, rritja e pagave në sektorin publik, si dhe projeksionet e buxhetit të vitit të ardhshëm ishin top tre temat kryesore...

Rritja e pagës minimale në 450 euro, rritja e pagave në sektorin publik, si dhe projeksionet e buxhetit të vitit të ardhshëm ishin top tre temat kryesore, të cilat i diskutuan përfaqësuesit e ekzekutivit, punëdhënësit dhe sindikalistët në seancën e dytë të Këshillit Ekonomik – Social. Kryetari i LSM-së para fillimit të takimit Sllobodan Trendafillov, u shpreh optimist dhe tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohen mjete për rritjen e pagave në përgjithësi, por presin zyrtarisht partnerët socialë të pranojnë kërkesën e tyre për të rritur pagën minimale.
 
“Sipas projeksioneve buxhetore që LSM-ja ka mundur t'i shohë, në buxhetin e vitit të ardhshëm për herë të parë janë parashikuar mjete për rritje të pagave për më shumë se 10 për qind. Kjo na bën me dije se Qeveria parashikon mjete sipas marrëveshjeve kolektive dhe ligjeve për rritje të pagave dhe mendojmë se nëse rriten pagat në sektorin publik, Qeveria nuk do të ketë absolutisht ngarkesa ekonomike me rritjen eventuale të pagës minimale, duke marrë parasysh se të gjithë të punësuarit në sektorin publik, e cila Qeveria shlyen pagat do të jenë mbi shumën e pagës minimale, të cilën po e kërkojmë.”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafillov. 
 
Kryeministri Hristijan Mickoski mbështet iniciativën për rritjen e pagës minimale në vend, por thotë se kjo çështje u takon sindikalistëve dhe punëdhënësve për t’u dakorduar. 
 
“Ne si Qeveri jemi në një pozitë më ndryshe krahasuar me të dy anët. Kushtimisht nëse shohim në aspekt të buxhetit qendror, sa më e lartë është paga minimale, aq më të mëdha janë të ardhurat në buxhet, mirëpo ne nuk dëshirojmë të përzihemi, do t’i lëmë punëdhënësit dhe punëtorët që ata të dakordohen rreth asaj se çfarë mund të pranojnë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Në seancën e Këshillit Ekonomik – Social, kryeministri Mickoski informoi partnerët socialë se Qeveria nga muaji mars do të rritë pensionet për 2.500 denarë. Përveç kësaj, në buxhet parashikohen mjete edhe për rritje të pagave në arsim, shëndetësi, si dhe mjete për mbështetje dhe mbrojtje shëndetësore për kategoritë e rrezikuara. Mickoski bëri të ditur se gjatë vitit të ardhshëm do të zhvillohen dy procese të rëndësishme ekonomike edhe atë duke filluar me realizimin e projekteve kapitale, respektivisht ndërtimin e shkollave, çerdheve, përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe të ujësjellësit. Përveç kësaj do të fillojë të zbatohet dhënia e mjeteve të parashikuara nga kredia hungareze fillimisht për sektorin e biznesit dhe më pas për komunat në vlerë prej 500 milionë eurove, me normë interesi prej 1.95 për qind me grejs periudhë 3 vite dhe afat kthimi prej 12 vitesh.
 
REXHEP QAMILI