Maqedoni

Ligji i Gjuhëve në Kushtetuese, Kadriu: S'marrim pjesë, vendimi do të jetë jolegjitim

06.12.2024 15:27

Gjykatësi shqiptar, Osman Kadriu, rikonfirmon se ai së bashku me gjykatësin, Naser Ajdari...

Gjykatësi shqiptar, Osman Kadriu, rikonfirmon se ai së bashku me gjykatësin, Naser Ajdari, nuk do të marrin pjesë në seancën e Gjykatës Kushtetuese të 11 dhjetorit, ku do të shqyrtohen iniciativat për Ligjin e Gjuhëve. Një vendim i tillë, sipas Kadriut, erdhi për shkak të mbivotimit për çështje të karakterit nacional, ndërsa në këtë rast kontestohet ligji i cili në veçanti trajton gjuhën shqipe prej ku në pikëpyetje është vënë i tërë ligji. Çdo vendim i gjykatës që trajton çështjet nacionale pa prezencën e shqiptarëve, në këtë rast është jolegjitim.
 
“Ne nuk e shohim të arsyeshme të marrim pjesë në këtë seancë, meqenëse përsëri do të mbivotohemi për një çështje që është tejet e rëndësishme, sensitive dhe shumë esenciale për kombin shqiptar. Çështja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare nuk është vetëm e drejtë individuale për pjesëtarët e kombit shqiptar, por ajo është e drejtë kolektive, kushtetuese e kombit shqiptar në RMV. Nëse gjykata e sheh të arsyeshme mund ta mbajë mbledhjen, ne nuk jemi kundër, por është evidente se çdo mbledhje e cila përgatitet edhe mbahet dhe vendimet që i sjell gjykata pa prezencën e shqiptarëve në seancën e Gjykatës, ndërsa vendoset për çështjet nacionale shqiptare të Maqedonisë dhe të drejtat e tyre, ato mbledhje dhe vendime nuk do të jenë legjitime. Kontestohen mbi 18 dispozita dhe ato në qoftë se abrogohen, atëherë ne nuk kemi Ligj për Gjuhët.”, - deklaroi gjykatësi kushtetues, Osman Kadriu.
 
Shasivari: Anulim i seancës ose kthim në Kuvend
 
Mungesa e dy gjykatësve shqiptarë ne seancën e Gjykatës Kushtetuese ku do të shqyrtohet nisma e Ligjit për Gjuhët mund të rezultojë me anulimin e seancës apo ndoshta me dërgimin të ligjit në Institucionin Ligjvënës, i cili në afat prej 6 muajve, do të duhet të harmonizojë me kërkesat e Gjykatës Kushtetuese, vlerëson profesori i të Drejtës Kushtetuese për TVM2, Jeton Shasivari.
 
“Për seancën e së mërkurës ka mundësi të shtyhet seanca për pikën e parë, Ligjin për përdorimin e gjuhëve, meqë dy gjyqtarët shqiptarë paralajmëruan se nuk do të marrin pjesë, por nga ana tjetër ka mundësi edhe që të mbahet seanca për këtë pikë dhe të miratohet me shumicë votash aktvendimi për hapjen e procedurës. Mirëpo duke marrë parasysh që në aspektin material kontestimet kanë më tepër të bëjnë me zbatimin praktik të ligjit dhe redaktimin gjuhësor të ligjit, Gjykata Kushtetuese me shumë gjasa mund të thirret në nenin 36 të aktit të saj që t’i caktojë miratuesit të aktit, pra në këtë rast Ligjvënësit, që në afat jo më shumë se gjashtë muaj që brenda atij afati ligjvënësi si miratues i aktit të bëjë plotësimin ose eventualisht edhe ndryshimet në pajtim me qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese. Nëse Ligjvënësi vepron brenda këtij afati, kjo procedurë definitivisht do të ndërpritet, por nëse brenda këtij afati ligjvënësi nuk vepron, atëherë brenda këtij afati Gjykata Kushtetuese do të vazhdojë me procedurën.”, - theksoi profesori i së Drejtës Kushtetuese, Jeton Shasivari.
 
Sa i përket kontestimeve që i bëhen Ligjit të Gjuhëve, Shasivari vlerëson se Ligji është miratuar në pajtim me procedurën e paraparë me Kushtetutë dhe me rregulloren e Kuvendit, me shumicë absolute dhe me shumicë të badenterit. Prandaj, këto kontestime formale me shumë gjasa pritet të refuzohen si të pabaza. Mosveprimi iish-presidentit, Ivanov, nuk përbën shkelje apo pengesë për hyrjen në fuqi të Ligjit, ashtu siç kontestohet. 
 
FLORIJE KAMBERI