Maqedoni

Revolti i punëtorëve shpërtheu në rrugë, protestat më masive deri më tani

01.05.2015 18:03

Protesta masive civile për drejtësi sociale dhe të drejta të punëtorëve u mbajtën sot në rrugët e Shkupit...

Punëtorë, gazetarë, studentë, punëtorë të falimentuar, si dhe honoraristët e shënuan Ditën e Punës me parullën “Mos u ndjeni të çliruar, që mos të pushoheni nga puna”.
 
Protesta filloi nga Jugodrvo dhe përfundoi para ndërtesës së qeverisë. Kolona qytetarësh të pakënaqur para kuvendit kërkuan dorëheqjen e kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski, dhe kërkuan nga ky institucion të votojnë mosbesimin e qeverisë.
 
Ndërsa shumica e udhëheqësve të sindikatave kërkuan që qeveria të ndalojë ndryshimet e shpeshta ligjore, të cilat, sipas tyre, janë të dëmshme dhe shkojnë në dëm të punëtorëve.  
 
“Menjëherë të shkarkohet kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, me qëllim që të mund të hapen hetime të brendshme dhe të jashtme për uzurpim të pushtetit. Menjëherë të votohet mosbesimi i qeverisë aktuale. Këto kërkesa janë parakusht për çfarëdo hetimi për përmirësimin e situatës aktuale, këtë publikisht na thanë edhe disa ambasadorë të jashtëm”- theksuan nga SMSHP.
 
“Kërkojmë që urgjentisht të nënshkruajmë marrëveshje kolektive dhe të rregullojmë pagesën e të gjitha kompensimeve që na takojnë. Të na respektoni, e jo të na impononi ligje. Ne kërkojmë fillimin e menjëhershëm të negociatave për ndryshimet në Ligjin për Nëpunës Administrativ, Gjyqësor, në Prokurorinë Publike dhe të gjitha ligjeve për sektorin publik, të cilat janë të papranueshme dhe çnjerëzorë dhe të cilat kanë për qëllim të bëjnë skllevër të dëgjueshëm”- tha kryetari i Sindikatës UPOZ, Pece Gruevski.
 
Ndërsa Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë edhe këtë vit, në mënyrë tradicionale e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Punës, “1 Majin”, me realizimin e marshit të solidaritetit.
 
“Në këtë ditë kërkojmë përmirësimin e mëtutjeshëm të të drejtave sociale dhe financiare të punonjësve dhe qytetarëve në Maqedoni, aplikimin konsekuent dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve në të gjitha nivelet, duke eliminuar rrezikun e pabarazisë së punëtorëve dhe dallimet dhe trajtimin e punëtorëve në sektorët privat dhe analizimin e ligjeve, të cilat shkaktojnë shqetësim dhe trajtim jo të pabarabartë të punëtorëve në sektorin privat dhe administratë”- u shpreh kryetari i LSM-së, Zhivko Mitrevski.
 
Nga LSM-ja kërkuan që shteti t’u mundësojë qytetarëve rroga të sigurta, me të cilat do të mund t’i mirëmbajnë familjet e tyre.
 
SANIJE KASAMI