Maqedoni

Ligji i Gjuhëve, Mexhiti: Vendimi të shihet edhe si politik

06.12.2024 15:42

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, fton Kushtetuesen që çështjen e gjuhëve ta trajtojë jo vetëm si çështje juridike...

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, fton Kushtetuesen që çështjen e gjuhëve ta trajtojë jo vetëm si çështje juridike, por edhe politike, pasi buron nga Marrëveshja e Ohrit. Mexhiti thotë se çdo vendim pa pjesëmarrjen e dy gjykatësve shqiptarë do të jetë jolegjitim dhe jo i plotë, ndërkaq për shqyrtimin e Ligjit të Gjuhëve fajëson BDI-në, pasi ka sjellë vendime gjysmake. Vendimet e radhës s’do të jenë ad hok, thotë Mexhiti.
 
“Ftoj edhe Gjykatën Kushtetuese ta shohë këtë si çështje politike, e jo vetëm juridike, për shkak se Ligji i Gjuhëve del nga Marrëveshja e Ohrit, që është shtyllë e këtij shteti të ri dhe Kushtetuta e re është ndërtuar mbi Marrëveshjen e Ohrit dhe kushdo që prek Marrëveshjen e Ohrit, ka prekur marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin e këtij shteti. Andaj ftoj edhe njëherë që me gjakftohtësi të gjithë të kontribuojmë për ta mbyllur këtë çështje si duhet.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti. 
 
BDI: Me ndryshimet, pasojat të parikuperueshme
 
Nga BDI-ja konsiderojnë se përpjekjet për shfuqizimin e cilës do dispozitë të ligjit nuk është vetëm veprim juridik, por edhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit dhe paqes. 
 
“Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të përkatësisë etnike shqiptare kanë deklaruar publikisht se do të bojkotojnë këtë seancë dhe vendimmarrje, duke e bërë edhe më të rrezikshme një vendim të njëanshëm për të shfuqizuar dispozitat e Ligjit për Gjuhët. Nëse Gjykata Kushtetuese vendos të shkatërrojë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit, pasojat do të jenë të parikuperueshme dhe ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për atë që mund të pasojë.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
 
Mickoski: Të presim vendimin e Kushtetueses
 
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse në mëdyshje për punën e gjykatësve.
 
“Unë as që i njoh gjykatësit dhe përkundrazi disa i kemi sulmuar. Por të presim, të vijë i 11- ti dhe si kjo do të zhvillohet. Përse gjykatësit e zgjedhur nga BDI-ja dhe LSDM-ja tani po sulmohen nga vetë ata. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e kriminelëve, të cilët kanë bërë krime, atëherë të njëjtët gjykatës dhe prokurorë mbrojnë të njëjtët.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Gjykata Kushtetuese: Nuk komentojmë qëndrimet e partive
 
Ndaj të gjitha reagimeve politike, Gjykata Kushtetuese është shprehur indiferente.
 
“Nuk dëshirojnë të komentojnë qëndrimet e asnjë partie për rendin e ditës më 11 dhjetor, respektivisht për kontestimin e Ligjit për Gjuhët në tërësi. Të gjitha vendimet dhe arsyetimi i këtyre vendimeve, do të kumtohet pasi të përfundojë seanca përmes konferencës për shtyp.”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.
 
Kushtetutshmëria e Ligjit për përdorimin e gjuhëve është pika e parë e rendit të ditës nga gjithsej 10 pika në seancën e 11 dhjetorit. 
 
MERAL ISMAILI