Maqedoni
ASh – dega e Kumanovës dënon aktet e dhunës
06.12.2024 16:33
AS, krahu i Arben Taravarit, sot përmes një konference shprehu shqetësimin lidhur me ngjarjet që ndodhën ditëve që lamë pas...

Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, dega e Kumanovës, sot përmes një konference për media shprehu shqetësimin lidhur me ngjarjet që ndodhën ditëve që lamë pas në qytetin e Kumanovës e që rezultuan me djegien e tre veturave, si dhe një lokali afarist. Nga ASh-ja akuzojnë BDI-në, ku thonë se ironik ishte reagimi i tyre, që në orët e mëngjesit pas djegies së makinave dhe një lokali, ku ata bëjnë thirrje faktorit ndërkombëtar që të kyçet në qetësimin e situatës, ndërsa edhe tragjiko-komike ishte paraqitja e tyre para opinionit ku ishin bashkuar dy degët e Kumanovës dhe Likovës për ta shfaqur edhe më të rrezikshme situatën dhe gjoja për të treguar unitet dhe faktorizim për mbrojtjen e shqiptarëve të Kumanovës.
“Të nderuar qytetarë, duke analizuar të kaluarën kemi të drejtë të konkludojmë se halli i BDI-së nuk është as gjuha shqipe, as flamuri, as balancuesi e as çështja e shqiptarëve, por paniku i tyre i vërtetë buron nga fakti që nuk i gëzojnë benefitet që i kishin deri tani, nuk kanë aparatin shtetëror t’u asistojë në realizimin e skenarëve të tilla. Ata që gjatë mandatit kanë keqpërdorur pozitat e që kanë ushtruar, përballja me drejtësinë shkakton frikë dhe këto situata tentojnë t’i shndërrojnë në kauza politike për ta manipuluar opinionin dhe qytetarët e për hir të vërtetës janë ekspertë të pakonkurrentë të kësaj fushe. Të dashur qytetarë, jetojmë në një qytet i cili karakterizohet me shumë diversitete etnike, fetare e kulturore.”, - deklaroi kryetari i ASh-së, dega Kumanovë, Huzeir Mustafi.
Ndryshe, ditën e djeshme nga MPB-ja njoftuan se në lidhje me ngjarjet që shqetësuan qytetarët e Kumanovës, është arrestuar një 35-vjeçar.
FATLUM AQIFI
